Bislimi: Pas 20 vjetësh mospagesë, do të bëhet faturimi i energjisë elektrike në veri

Zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi ka reaguar lidhur me arritjen e marrëveshjes ndërmjet KEDS-it dhe kompanisë Eletrosever.

Bislimi ka shkruar se është hap tutje drejt normalizimit të furnizimit dhe faturimit për katër komunat e veriut të Kosovës.

“Me nënshkrimin e kontratës komerciale ndërmjet KEDS-it dhe Elektrosever, sipas pikës 3 të Udhërrëfyesit për Marrëveshjen e Energjisë, u bë një hap tutje drejt normalizimit të furnizimit me energji dhe faturimit në katër komunat në veriun e Kosovës”, ka shkruar Bislimi.

Bislimi tutje në Facebook ka shkruar se kjo u bë 1 vit pas dakordimit në Bruksel dhe pasi Kosova i përmbushi obligimet, ndërsa operimi i Elektrosever në veri do të bëhet sipas ligjeve të Kosovës.

“Më shumë se 1 vit pas dakordimit mbi udhërrëfyesin e pasiqë pala jonë i përmbushi menjëherë obligimet e saj që derivojnë nga marrëveshja, Elektrosever pranoi ta nënshkruajë kontratën. Operimi edhe në veri, do të ndodhë brenda kornizës ligjore e rregullative të Republikës së Kosovës, ashtu siç në të gjithë territorin e vendit tone”, ka shkruar Bislimi.

Zëvendësi i Kurtit ka thënë se tani është koha që pas 20 vjetësh ilegalitetit të rrymës në veri të vazhdohet tutje.

“Tash duhet të ecet tutje edhe me hapat e tjerë të nevojshëm për t’i dhënë fund pas më shumë se 20 vitesh, ilegalitetit në mospagesë të rrymës.

Kosova vazhdimisht ka luajtur një rol konstruktiv dhe ka zbatuar të gjitha detyrimet e saj, andaj dhe presim e kërkojmë të njëjtën gjë nga pala tjetër, për ta përfunduar këtë proces”, përfundoi Bislimi.