Bislimi: Rregullorja e BQK-së s’është pjesë e dialogut – duam vazhdimësinë e mbështetjes financiare të serbëve nga Serbia

Zëvendëskryeministri i vendit, Besnik Bislimi, bashkë me emisarin special të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, sot kanë folur edhe për Rregulloren e BQK-së.

Bislimi tha se Rregullorja e BQK-së nuk është pjesë e procesit të dialogut dhe sipas tij, e njëjta nuk është subjekt i negociatave mes palëve.

“Po ashtu, e siguroi z. Lajçak qё Qeveria ёshtё e interesuar tё sigurojё vazhdimёsinё e mbёshtetjes financiare tё Serbisё për serbët e Kosovës nё fushёn e edukimit, shёndetёsisё dhe mbrojtjes sociale”, thuhet në njoftim, transmeton Klankosova.tv.

Tutje, bëhet e ditur se në takim u folën edhe çështje të tjera të lidhura me procesin e dialogut, si ajo e mbarëvajtjes së zbatimit të energjisë, me theks tek qasja jobashkëpunuese rreth mirëmbajtjes së linjave të interkoneksionit, ajo për targat dhe telekomunikacionit.

“Mbi këtë të fundit, u adresua shqetësimi për shkeljet e vazhdueshme të Serbisë dhe ndërhyrjet në frekuencat brenda territorit tё Republikёs sё Kosovёs, shqetёsime kёto tё ngritura si nga ARKEP ashtu edhe nga KPM”, bën të ditur qeveria, transmeton Klankosova.tv.

Më tej, thuhet se Bislimi në takim me Lajçakun e ka adresuar edhe çështjen e pasaportave ilegale “KU”, ndërsa e ka përmendur edhe rritjen e ndjenjës së sigurisë tek serbëve të Kosovës, bazuar në raportin e UNDP-së.

“Zëvendëskryeministri Bislimi adresoi dhe çështjen e pasaportave ilegale KU, e mbi të cilën nënvizoi se ky propozim vijon të jetë i padrejtë dhe se i njëjti e dëmton dhe procesin e dialogut”.

“Në përfundim, ai e njoftoi emisarin dhe me hapat të cilat po i ndërmerr Qeveria, si mbështetja me dy mijë vende pune në katër komunat veriore, si dhe përmendi raportin më të fundit të UNDP-së i cili konstatoi rritje në ndjenjën e sigurisë tek serbët e Kosovës, nga 15.3% dhe 33.8% sa ishte në dy vitet e kaluara, në 37.6%”, thuhet në njoftim.