Borrell: Takimet e ndara me Kurtin e Vuçiqin në Munih ishin të pasuksesshme

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, në një tekst të publikuar në faqen e Shërbimit të BE-së për Punë të Jashtme, ka shkruar se gjatë Konferencës së Sigurisë së Munihut ka folur në takime të veçanta me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për deeskalimin e tensioneve në marrëdhëniet mes dy vendeve.

Por siç ka theksuar ai bisedimet “fatkeqësisht kanë qenë të pasuksesshme”.

Përveç Kurtit e Vuçiqit, Borrell thekson se ka pasur një numër të madh takimesh dypalëshe me partnerë të BE-së nga e gjithë bota.

Duke folur për rezultatet e arritura, Borrell ka theksuar se në Munih ai prezantoi katër qëllimet kryesore të agjendës gjeopolitike të BE-së: mbështetje më të madhe dhe më të shpejtë për Ukrainën, përfundimin e katastrofës humanitare në Rripin e Gazës, përmirësimin e marrëdhënieve të BE-së me “jugun global” dhe forcimin dhe sigurinë e Unionit.