Borrelli e Lajçaku duhet të japin dorëheqje, vlerëson analisti polak

Jakub Bielamowicz, analist i politikës së jashtme dhe studiues i Ballkanit Perëndimor, duke komentuar rrjedhën e tensionuar në raportet Kosovë-Serbi, ka kritikuar ashpër përfaqësuesit e Bashkimit Evropian (BE) për situatën e krijuar në terren, ndërsa ka kërkuar edhe dorëheqjen e tyre.

Bielamowicz ka shpërndarë një deklaratë të presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, i cili, gjatë një paraqitje televizive muajin e kaluar, ka thënë se nuk do ta nënshkruajë assesi Marrëveshjen Bazë (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksin e Implementimit (Ohër, 18 mars), duke shtuar se “nuk vjen në shprehje” as njohja e pavarësisë e Kosovës.

E duke marrë për bazë këtë deklaratë të presidentit serb, analisti polak ka kërkuar dorëheqjen e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell dhe Emisarit Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, të cilët akoma nuk kanë gjetur mënyrën për ta detyrua presidentin serb t’i nënshkruajë marrëveshjet.

“Deklaratat (dhe shkeljet) e shumta kanë dëshmuar se “Marrëveshja e Brukselit/Ohrit” nuk ishte gjë tjetër veçse një deklaratë e rreme suksesi nga të dërguarit e pandershëm të BE-së – Borrell dhe Lajçak. Nëse do të kishte një trohë përgjegjësie në Bruksel, ata të dy do të detyroheshin të jepnin dorëheqjen”, ka vlerësuar Bielamowicz.

BE-ja deri më tani nuk ka arritur të gjejë rrugën për t’i bindur palët që t’i zbatojnë marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. Pikërisht për shkak të një sasie të çështjeve të mbetura pezull, një cikël i ri në procesin e dialogut është zhvilluar të enjten e 16 nëntorit në kryeqendrën politike evropiane, por pa rezultate të prekshme./Albanian Post