BQK s’jep sinjale për tërheqje për dinarin, shpjegojnë se në Veri ka banka e këmbimore

Numri dy i Qeverisë së Kosovës, Besnik Bislimi, në një reagim në profilin e tij në ‘facebook’, kishte reaguar ndaj deklarimeve që vinin nga Beogradi zyrtar për punën e Rregullores së re të BQK-së, duke thënë se ajo s’ka të bëjë me ndalimin e dinarit serb dhe se s’ka lidhje me Dialogun e Brukselit, shkruan Gazeta Express.

Megjithatë, pavarësisht këtij qëndrimi, reagimet ndërkombëtare s’kanë munguar. I pari që ka folur ka qenë ambasadori i SHBA-së në Beograd, Christopher Hill, duke e quajtur Rregulloren e re si “suprizë të panevojshme”. Për të njëjtën temë Kurtit i kanë shkuar në Qeveri edhe ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe shefi i Zyrës së BE-së. Pas këtij takimi, Qeveria ka kërkuar respektim të institucioneve të pavarura sikurse Banka Qendrore e Kosovës.

Pas kësaj vizite të QUINT dhe BE në Qeveri, ka qenë ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, që ka shkuar për vizitë ne Bankën Qendrore të Kosovës duke kërkuar shtyrjen e implementimit të Rregullores së re të BQK-së dhe diskutim të kësaj çështje tutje në kuadër të procesit të Dialogut.

Megjithatë në njoftimin e BQK-së për takimin me Jeff Hovenier nuk është dhënë ndonjë sinjal për shtyrje të mundshme të implementimit të Rregullores së re që do të hyjë në fuqi nga data 1 shkurt 2024.