Cameron në Prishtinë: Jam këtu për të përforcuar faktin që ne ju mbështesim

Sekretari i Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron është pritur në një darkë pune nga kryeministri Albin Kurti, pasi që zbarkoi në Prishtinë për vizitën njëditore që do ta zhvillojë në Kosovë.

Cameron që ka shërbyer edhe si kryeministër i Britanisë së Madhe, në vizitën e parë në Kosovë, tha se është për ta përforcuar faktin që ky vend e mbështet Kosovën.

“Unë jam këtu për të përforcuar faktin që ne ju mbështesim juve. Duam që të ju ndihmojmë në rrafshin e sigurisë, atë të zhvillimit ekonomik, të qeverisjes dhe në të gjitha çështjet me të cilat përballeni. Kemi qenë mbështetës afatgjatë të Kosovës dhe do të vazhdojmë të jemi të tillë”, tha ai në fillim të takimit, njofton ZKM.

Në takim u theksua vlera dhe rëndësia e marrëdhënieve të forta bilaterale ndërmjet dy shteteve, teksa u diskutua për fushat dhe mundësitë e reja të bashkëpunimit dypalësh në shërbim të interesave të përbashkëta dhe të fuqizimit të raporteve të ndërsjella, thuhet në një njoftim të Zyrës së Kryeministrit.

Kryeministri Albin Kurti e falënderoi Sekretarin Cameron për kontributin e tij edhe sa ishte kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar dhe mbështetjen e vazhdueshme që ky shtet i ka dhënë Kosovës në çlirimin, pavarësimin, demokratizimin, zhvillimin e brendshëm dhe integrimin ndërkombëtar, dhe tash së fundmi në rritjen e sigurisë përgjatë kufirit me Serbinë me zbarkimin e 200 ushtarëve britanikë në tetor të vitit të kaluar në kuadër të misionit të NATO-s në Kosovë.