Dialogu Kosovë-Serbi pritet të ketë një dinamikë të re në muajin shtator. Emisarët perëndimorë tashmë kanë ndezur motorët për të vazhduar punën aty ku e kanë lënë para pushimeve. Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill ka bërë me dije se në muajin e ardhshme do të ketë një përpjekje të re për të zgjidhur problemet në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Emisari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, dje ka pritur në takim në Bruksel të dërguarin e posaçëm të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Pas takimit, ai ka bërë e me dije se temë kryesore ka qenë dialogu Kosovë-Serbi.
Në llogarinë e tij në rrjetin social “X”, diplomati evropian ka thënë se me Escobarin ka pasur një bisedim të thellë për dialogun, gjendjen e tanishme dhe rrugën përpara.
“Gëzohem të mirëpres kolegun dhe mikun tim të mirë DAS Escobar në Bruksel. Së bashku me ekipet tona, ne kaluam dje në një diskutim të thelluar mbi Dialogun, gjendjen e aktuale dhe rrugën përpara, si dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor.” – ka shkruar Lajçak.
Ai ka falënderuar diplomatin amerikan për bashkëpunim e jashtëzakonshëm për këtë proces.
Edhe ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, ka paralajmëruar një përpjekje të re të dialogut në muajin e ardhshëm.
Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, ai ka thënë se kjo çështje është urgjente dhe duhet të diskutohet sa më shpejt.
“Shumë njerëz kanë qenë me pushime në gusht dhe kështu do të duhet të shohim se si duket në shtator. Unë besoj se kjo çështje është urgjente dhe se duhet të ketë një përparim në këtë çështje. Mendoj se të paktën ne e dimë se cilët janë përbërësit për një lloj të ardhmeje të qetë. Është shumë e qartë se ne kemi nevojë për një Asociacion të komunave serbe. Është e qartë se Kosova ka nevojë për qasje më të mirë në strukturat ndërkombëtare. Kështu që mendoj se ne në thelb e dimë se çfarë do të përpiqemi të bëjmë. Problemi është t’i bashkosh të gjitha. Është si një mozaik i madh. E hedh në tavolinë, pastaj duhet ta bashkosh. Nuk është e lehtë”, ka thënë Hill.
Ai ka bërë me dije se të gjithë kanë pasur një shancë për të menduar gjatë veprës për procesin.
Diplomati amerikan është shprehur optimist se do të këtë përparime në këtë proces.
“Nuk mund ta parashikoj krizën, por ajo që mund të shoh është një përpjekje e re për të zgjidhur problemet. Të gjithë patën një shans për të menduar gjatë verës dhe shpresoj se mund të përmirësohemi. Serbia është vendi më i madh në Ballkan, ka ambicie për t’u afruar me perëndimin, ka plane ambicioze ekonomike, po vjen Expo 27. Po të isha Serbia do të doja ta zgjidhja problemin me Kosovën, për të treguar se unë mbështes komunitetin serb në Kosovë, por në fund, për të parë se cilat janë lëvizjet më të gjera strategjike që duhen bërë për t’u bërë pjesë e perëndimit”, ka thënë Hill.