Çitaku për vrasjet e mbrëmshme në Prishtinë: Dikush duhet të japë përgjegjësi për shkallën e pasigurisë

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar për dy vrasjet që ndodhën mbrëmë në kryeqytet.

Çitaku tha se përtej dhimbjes dhe solidaritetit me familjarët e viktimave, dikush duhet të japë përgjegjësi për shkallën e pasigurisë.

“Vrasje, plaçkitje, rrahje  gjithandej. E tmerrshme”, shkroi Çitaku, transmeton Klankosova.tv.

Kujtojmë se mbrëmë një grua mbeti e vrarë në një veturë në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë.

Lajmin për Klankosova.tv e ka konfirmuar zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

“Mbështetur në informacionet e para, dyshohet se bëhet fjalë për vrasje me armë zjarri. Policia në koordinim me prokurorinë, ka nisur hetim dhe ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, që do të ndihmonin hetimin e ngjarjes si dhe sqarimin e plotë të rastit”, tha Ahmeti.

Ndërsa, në rrugën “Ali Vitia”, një person e ka sulmuar me thikë një person tjetër, ku si pasojë e lëndimeve, nuk ka arritur t’i mbijetojë plagëve dhe i njëjti ka ndërruar jetë.