Çitaku: Qytetarët në luftë për ekzistencë, kurse Kurti në 100 ditët e fundit, 45 sosh i kalon jashtë vendit

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për qëndrimin e tij të gjatë në Greqi, si pjesëmarrës në një simpozium.

Ajo tha se Kurti duhet që të rikthehet në Kosovë dhe të merret me shqetësimet dhe problemet e qytetarëve, për të cilët tha se sot janë në luftë për ekzistencë.

“Në këtë kohë kur shumica e familjeve kosovare po ballafaqohen me krizën më të madhe ekonomike, me rritjen enorme të çmimeve të produkteve bazike për jetesë, kryeministri i vendit i cili do të duhej të ndërmerrte hapa për tejkalimin e krizës, ka zgjedhur që të ikë nga Kosova e të kalojë kohë nëpër vizita, të cilat thënë më së buti, do të mund të quheshin studimore”, ka thënë Çitaku.

Nënkryetarja e PDK-së ka thënë se Kurti nuk po qeveris me vendin, por se po i ikë përgjegjësisë që e ka marrë nga vota e qytetarëve.

“Nga njoftimet publike të qeverisë, vetëm gjatë tre muajve të fundit, kryeministri Kurti ka qëndruar 45 ditë jashtë Kosovës, por, pa sjell asnjë sukses të vetëm nga këto vizita të stërzgjatura dhe tërësisht atipike për një Kryeministër në detyrë. Gjysmën e kohës në 100 ditët e fundit, kryeministri Kurti e ka kaluar jashtë Kosovës”.

Çitaklu tha se Kurti edhe mandatin qeverisës e ka nisur jashtë Kosovës, duke bërë fushatë zgjedhore në Shqipëri.

“Në këtë periudhë kohore, qytetarët e braktisur nga qeveria, me rritje enorme të çmimeve, me energji deri trefish të shtrenjtuar, me inflacion prej mbi 14 përqind, zgjidhjen po e shohin ikjen nga Kosova”, ka thënë nënkryetarja e PDK-së.

Po ashtu, Çitaku i ka cilësuar si alarmante shifrat e publikuara ditë më parë nga Agjencia e Statistikave të Kosovës ku thuhej se 42 mijë qytetarë tanë kishin lënë Kosovën vetëm vitin e kaluar.

“Qytetarët e Kosovës e kanë votuar Albin Kurtin dhe Vetëvendosjen më 14 shkurt duke besuar në premtimet e tyre. Por, ajo çka po shohin është se inflacion më të madh se çmimet, kanë pësuar vetë premtimet e Kryeministrit”.

Tutje, Çitaku ka thënë se edhe kryetarët e komunave janë të shqetësuar për ndarjen e buxhetit.

“E ka bllokuar për muaj të tërë OSHP-në dhe kësisoj, i ka bllokuar të gjitha investimet kapitale anekënd Kosovës. Në vend që të ndërmerr vendime që i përkasin kompetencave qeveritare duke hequr TVSH-në dhe akcizën, kryeministri Kurti po merr vendime arbitrare në fushën e ekonomisë duke ndërhyrë në caktimin e çmimeve“, ka thënë Çitaku.

Në fund, Çitaku ka thënë se qeveria aktuale po tregohet tërësisht jotransparente edhe për procesin e dialogut.

“Nga ndërmjetësuesi i Bashkimit Evropian dëgjuam se qenkan gati 4 marrëveshje të reja. Ne kërkojmë të njoftohemi nga Kryeministri në abstenim Kurti, ose nga Kryeministri faktik Bislimi, se cilat janë këto marrëveshje? Për çka bëhet fjalë. Dialogu me Serbine nuk guxon të degradojë në noterizim të marrëveshjeve teknike paraprake, duke lënë në margjina, e jo në qendër, njohjen reciproke”.