Çitaku: S’kemi shtiza për kolegët në opozitë, jemi në garë me VV-në

Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, thotë se “shtizat” nuk i kanë për partitë e tjera opozitare, ndërsa garën e ngushtë e sheh ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës e Lëvizjes Vetëvendosje. Beson se qeverinë, pas zgjedhjeve, do ta udhëheqë kandidati i PDK-së, Bedri Hamza.

Çitaku ka theksuar domosdoshmëria për të shkuar në zgjedhje sa më parë, për shkak të dëmeve që po i shkaktohen vendit nga Qeveria Kurti.

Sipas ish-ministres së Integrimit, ka regres të madh në ekonomi më këto tri vjet e gjysmë, aleatët tanë kanë humbur besimin në udhëheqësit e institucioneve të Kosovës dhe për fajin e kësaj qeverie po ndodh migrimi masiv.

Ajo ka mohuar kategorikisht se ka pasur ndonjë marrëveshje me Lëvizjen Vetëvendosje për koalicion pas zgjedhjeve.

“Nuk ka asnjë lloj marrëveshje mes PDK-së dhe LVV-së, përveç kërkesës sonë si PDK që vendi sa më parë të shkojë në zgjedhje dhe mandati t’u kthehet qytetarëve. Kjo jo si dëshirë, por si nevojë dhe si domosdoshmëri. Vendi është në stagnim, kemi shënuar një regres të frikshëm në ekonomi, parametrat në migrim janë të tmerrshme, aleatët tanë kanë humbur besimin tek udhëheqësit e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe ne po insistojmë që të kemi zgjedhje sa më parë në mënyre që të ndalet ky degradim. Nuk kemi shtiza për kolegët tanë në opozitë, nuk jemi në garë me të, ne jemi në garë me Albin Kurtin dhe LVV, dhe po synojmë që mandatin të ua kthejmë qytetarëve në mënyrë që Kosovës t’i vijë një qeverisje e përgjegjshme në krye me kryeministrin e ardhshëm Bedri Hamza”, thotë Çitaku.