Clark nuk përjashton rrezikun e një konflikti të ri në Kosovë: Serbia e ka dorën e zgjatur nga Rusia

Gjenerali i pensionuar amerikan, Wesley Clark, ka thënë se ekziston rreziku i një konflikti tjetër në Kosovë.

Clark ka udhëhequr fushatën ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe më 1999.

Në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë 25 vjet pas përfundimit të sulmeve, ai thotë se “Serbia është si një magnet që i tërheq ambiciet imperialiste ruse në Evropë”.

Mendoj se ka rrezik për dhunë. Vite më parë, kemi parë përpjekje për grushtshtet në Mal të Zi. Së voni, kemi parë sherr në kufi mes Serbisë dhe Kosovës, në të cilin [presidenti i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq ka mohuar se ka marrë pjesë. Por, dikush në Serbi ka marrë pjesë, sepse lëvizja e forcave ushtarake ka qenë e organizuar dhe e urdhëruar.