Çollaku: Shuma e parave që ndau MD-ja për avokatët e Thaçit është e pamjaftueshme

Bekim Çollaku, anëtari i kryesisë së PDK-së, ka folur për avokatët e Hashim Thaçit që kanë kërkuar të tërhiqen nga mbrojtja e tij në Hagë, duke thënë se nuk janë paguar.

Në Info Magazine të Klan Kosovës, Çollaku ka deklaruar se avokati kryesor i ekipit të Thaçit, Gregory Kehoe, ka qenë i njoftuar me kohë se do t’i përfundojë kontrata, sipas tij, të gjithë avokatët mbrojtës të ish-presidentit kanë kontrata njëvjeçare.

Ndër tjera, ai ka shtuar se shuma që e mbulon Ministria e Drejtësisë në rastin e Thaçit nuk mjafton.

“Po flas vetëm për ekipin e mbrojtjes për presidentin Thaçi, Kuvendi i Kosovës ka nxjerrë një ligj që ka marrë përsipër që institucionet shtetërore t’i mbulojnë shpenzimet për të akuzuarit e mundshëm në atë periudhë, mirëpo pastaj aktet e tjera nënligjore kanë qenë kompetencë e Ministrisë së Drejtësisë, të cilat normalisht që janë nxjerr”.

“Shuma që e mbulon Ministria e Drejtësisë për të akuzuarit, në këtë rast për presidentin Thaçi, është tërësisht e pamjaftueshme, e njëjta shumë vjetore nuk mjafton as për të mbuluar shpenzimet e stafit mbështetës e lëre më për avokatët që janë të angazhuar në këtë proces”.

“Prandaj në rastin konkret paralajmërimi dhe letra të cilën avokati kryesor i ekipit Gregory Kehoe i ka dërguar trupit gjykues është një letër procedurale pasi avokati Kehoe i ka qenë i njoftuar me kohë, pasi që kontrata të cilën e ka fondacioni për mbrojtjen juridike të presidentit Thaçi, për të gjithë avokatët veç e veç janë kontrata një vjeçare, nuk janë disa vjeçare ajo ka përfunduar, Kehoe ka qenë i njoftuar me kohë që për shkak të kufizimit dhe vështirësive financiare që është duke u ballafaquar fondacioni do të jetë e pamundur që e njëjta kontratë do të mund të vazhdohet edhe për këtë vit”, ka thënë Çollaku.