Dardanët mbajtën stërvitjet e fundit, në mesditë udhëtojnë drejt Norvegjisë

Kombëtarja e Kosovës e ka mbajtur paraditen e sotme seancën e fundit stërvitore para udhëtimit në Oslo, ku të mërkurën do të luajë miqësoren me Norvegjinë.

Edhe në stërvitjen e sotme përzgjedhësi Franco Foda ka pasur në dispozicion të gjithë futbollistët e grumbulluar, derisa për shkak të një shqetësimi të vogël muskular, Elbasan Rashani ka stërvitur i diferencuar nga grupi.

Në seancën e sotme e cila nuk ka qenë aq e ngarkuar për shkak të udhëtimit, krahas ushtrimeve fizike dhe lojës me top, Foda një pjesë të konsiderueshme ia ka kushtuar skemave të ndryshme të lojës, me të cilat synon t’i kundërvihet suksesshëm Norvegjisë.

Pas stërvitjes Vedat Muriqi dhe Valon Berisha ndanë opinionet e tyre për punën e bërë gjatë pesë ditëve të këtij grumbullimi si dhe për pritjet që kanë për miqësoren në Oslo.