DASh-i përfshin sulmin në Banjskë dhe lirimin e terroristit Radoiçiq në raportin për Liritë Fetare

Departamenti Amerikan i Shtetit, në fund të muajit të kaluar ka publikuar raportet mbi Liritë Fetare nëpër vende të ndryshme të botës.

Ndër to është edhe Kosova.

Në raportin për Kosovën është përfshirë edhe sulmi në Banjskë ndaj Policisë së Kosovës nga grupi i armatosur serb, organizimin e të cilit e kishte marrë përsipër më vonë politikani serb nga Kosova, Millan Radoiçiq, i cili nga institucionet e Kosovës më pas u deklarua terrorist.

DASh-i thotë se autoritetet në Serbi patën arrestuar Radoiçiqin më 3 tetor, ndërsa e patën liruar më 4 tetor, “në pritje të hetimeve”.

“Më 24 shtator, një grup i organizuar, i armatosur dhe i trajnuar i serbëve etnikë sulmoi Policinë e Kosovës në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit, duke vrarë një rreshter policie dhe duke plagosur dy oficerë të tjerë. Më pas, grupi hyri me forcë në kompleksin aty pranë të Manastirit të Banjskës dhe luftoi me policinë për disa orë, duke përfshirë edhe nga prona e manastirit, ndërsa abati i Kishës Ortodokse Serbe (KOS) dhe afërsisht 40 pelegrinë nga Serbia u izoluan në manastir derisa grupi u largua. Policia tha se tre sulmues u vranë gjatë përleshjes”.