DASH përmendi korrupsionin e Qeverisë në raport: Kuvendi e diskuton të enjten

Kuvendi i Kosovës do të mblidhet të enjten për të diskutuar rreth gjetjeve të raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili si problematikë e ka përmendur korrupsionin e sundimin e dobët të ligjit. Kjo u vendos në mbledhjen e kryesisë së Kuvendit.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja tha se të enjten në rend dite do të jenë edhe marrëveshjet ndërkombëtare të cilat nuk po arrijnë të kalojnë.

“Më 2 maj do të diskutohet lidhur me raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit i cili pasohet më pastaj me diskutimin për marrëveshjet ndërkombëtare. Të gjitha këto marrëveshje e kapin shifrën prej 390 milionë euro, dhe për shkak të mospjesëmarrjes së opozitës dhe mospërkushtimit të partive opozitare këto kanë mbetur të bllokuara”, tha ai.

Ndërsa, shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri tha se kryesia e Kuvendit ka miratuar kërkesën e tyre që në një nga seancat plenare të diskutohet për qeverisjen Kurti. Andaj ai edhe ka kërkuar nga shefi i qeverisë, Albin Kurti që të ballafaqohet në Kuvend me opozitën.

“Kërkesa e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për të debatuar për dridhjet e qeverisë është miratuar por në seancën e ardhshme ne do të debatojmë për gjetjet e raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit. Seanca e radhës fokusin kryesor do ta ketë në një raport i cili në esencë e targeton qeverinë si institucion që ka probleme serioze me çështjen e korrupsionit dhe çështje tjera. Ne presim dhe kërkojmë që kryeministri të jep llogari. Më 22 mars ne kemi pasur karkesë për t’u ballafaquar me mocion për shkarkimin e qeverisë dhe ne kërkojmë që kryeministri të vjen në Kuvend e të ballafaqohemi. Ne besojmë që kjo është qeveria më e dobët që kemi pasur”, theksoi ai, raporton RTK

Muja e Tahiri u pyetën edhe rreth procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Të njëjtit u shprehën optimistë për rrugën e Kosovës drejtë këtij Këshilli, derisa thanë se anëtarësimi në të nuk kufziohet me themelimin e Asociacionit.

“Është e rëndësishme që vende si Serbia mos të kenë veto për të ardhmen demokratike të shteteve tjera. Kosova i ka plotësuar kushtet dhe ne duhet të besojmë që Kosova do të jetë anëtare e re e Këshillit të Evropës”, tha deputeti Muja.

Shefi i grupit të deputetëve të LDK-së, Arben Gashi ka thënë se qeverisja e Kurtit, sipas tyre, ka katër tendenca.

“Tendenca e parë është kalimi i ligjeve antikushtetuese të cilin ne e kemi bllokuar vazhdimisht. Tendenca e dytë ka qenë kapja e paligjshme e bordeve dhe agjencive të pavarura. E treta ka qenë në vazhdimësi pengimi i Lëvizje Vetëvendosje që të kryhet një nga funksionet kryesore të Kuvendit e cila është mbikëqyrja e Komisioneve Parlamentare. Janë 6 komisione parlamentare që janë bllokuar. Në javën e fundit kemi pasur dy raporte ndërkombëtare të cilat nxjerrin një qeveri të dështuar. Qeveria Kurti shihet si një qeveri e korrupsionit masiv”, tha ai.

Kurse deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, tha se janë dy raporte ndërkombëtare kredibile të cilat e kanë goditur qeverinë.

“Ata flasin për një qeveri të korruptuara. Ne kemi provuar që këtë raport ta diskutojmë javën e kaluar por do të jetë si pikë e parë e rendit te ditës, për të parë se si do të reagoj qeveria. Ne seancën që do të mbahet në javët në vazhdim do ta kemi qeverinë për të diskutuar rreth punës tre vjeçare të saj ku do të diskutojmë për dështimet e njëpasnjëshme që e kanë karakterizuar qeverinë”, tha ajo.