Deklarohet Qeveria: Propozimet për dinarin në linjë me rregulloren e BQK-së, përmbajtja e saj nuk diskutohet

Zyra e kryeministrit Albin Kurti, ka lëshuar një deklaratë nga takimi i sotëm në Bruksel në të cilin Kosova u përfaqësua nga kryenegociatori, Besnik Bislimi.

Nga kjo zyre kanë njoftuar se pala kosovare ka dorëzuar propozimet dhe idetë për dinarin, për të cilat specifikon se janë në linjë me rregulloren e BQK-së, ku përmbajtja e së cilës nuk diskutohet.

“Takimet u zhvilluan në format trilateral e bilateral. Tema e takimeve ishte gjetja e një zgjidhjeje për formën e dërgimit të mbështetjes financiare për komunitetin serb, brenda rregullores së Bankës Qendrore.

Pala jonë, i ka dorëzuar propozimet e idetë e saj rreth çështjes e në takimet e sotme i prezantoi e argumentoi ato. Propozimet tona janë në linjë me rregulloren e BQK-së, për të cilën ritheksojmë se përmbajtja e së cilës nuk po diskutohet.

Nga lehtësuesi i procesit është vënë në dukje se propozimet e palëve nuk janë përafruar ende dhe paraqitet nevoja për potencialisht një takim të radhës për javën e ardhshme”, theksohet në njoftimin e Qeverisë.