Deputeti gjerman: Kushtëzimi i anëtarësimit në KiE me Asociacionin është gabim i madh

Deputeti gjerman, Thomas Hacker, ka konsideruar se kushtëzimi i anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës me zbatimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është gabim.

“Lidhja e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës me zbatimin e Asociacionit do të ishte gabim i rëndë. Përsëri, duket se disa vende perëndimore nuk kanë mësuar nga gabimet e së kaluarës”, ka shkruar ai në platformën sociale, X.

Gjermania dhe Franca kanë kërkuar që Kosova të bëjë një hap substancial në raport me Asociacionin – të paktën dërgimin e draft-statutit të këtij mekanizmi në Kushtetuese për shqyrtim – kur në pyetje është anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës.

Kancelari Gjermani, Olaf Scholz, në një bisedë telefonike të hënën me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga ky i fundit hapa konkretë drejtë themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, kur në pyetje është anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Kancelari përshëndeti zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për Manastirin e Deçanit. Ai nënvizoi rëndësinë e hapave konkretë drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nga autoritetet e Kosovës, edhe në kuadër të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës”, thuhet në njoftimin e Kancelarisë Gjermane.

Dy javë më parë Kurti zhvilloi një bisedë telefonike edhe me presidentin e Francës, Emmanuel Macron.

Macron gjatë bisedës ndërsa përshëndeti Kurtin për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit, nënvizoi rëndësinë që Franca i kushton zbatimit të Asociacionit, sidomos në kontekstin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Presidenti i Republikës përshëndeti zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit. Megjithatë, ai nënvizoi rëndësinë që Franca i kushton, edhe në kontekstin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, progresit të shpejtë dhe të pakthyeshëm në zbatimin nga autoritetet kosovare të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”, thuhet në njoftimin e Pallatit Elysee.

Ndryshe Albanian Post duke u thirrur në burime diplomatike raportoi se Franca ka kërkuar shtyrje të vendimit për anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës.