Deputetja e AAK-së: Kurti s’është kryeministri që duan qytetarët, kjo do të shihet shpejt

Deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi, në një prononcim dhënë për “Gazeta Blic” ka komentuar deklaratat e bëra sot nga i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës  për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cila tha se është i shqetësuar me mesazhet që vijnë nga Prishtina dhe se Kosova duhet të jetë më konstruktive.

Bytyqi tha se shqetësimi i miqve është vula e lidhjes speciale që ekziston me Kosovën.

Ajo tha se nga kryeministri Kurti po shihet vetëm arrogancë që rritet çdo ditë dhe sulmon këdo.

“Në vend që kryeministri ynë të jetë i shqetësuar për gjendjen që në vazhdimësi po e krijon, është Escobar që edhe me këto deklarata e dëshmon partneritetin e fuqishëm që Amerika ia ka dhënë dhe ia jep Kosovës dhe do që Kosova të ec tutje e të integrohet. Shqetësimi i miqve tanë është vula e e lidhjes speciale që kemi mes nesh. Por nga ana tjetër e kemi një kryeministër që lëshon deklarata të pamenduara, që aspak nuk i intereson ky raport”.

Deputetja e AAK-së tha se ky nuk është kryeministri që duan qytetarët dhe kjo do të shihet shpejt.

“Pra edhe ne opozita por edhe popullit duhet të na shqetësojë tejmase kjo indiferencë e Albin Kurtit pasi pasojat mund të jenë të mëdha për vendin tonë. Uroj që kjo të mos ndodh, por nga ana tjetër nuk jemi duke parë reflektim, përkundrazi një arrogancë që secilen ditë shkon dhe i rritet duke e sulmuar këdo. Ky nuk është kryeministri që dojnë qytetarët dhe besoj se kjo do të shihet shpejt” deklaroi Bytyqi.