Deputetja Kearns e falenderon Petrit Selimin për mbështetje, pasi u kërcënua nga Vuçiq

Ish-kryediplomati Petrit Selimi më herët i ka dalë në mbrojtje deputetes britanike, Alicia Kearns, pasi ajo u kërcënua nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiq.

Selimi përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Twitter, ka quajtur “absurde” kërcënimet e Vuçiq për hetim ndaj deputetes Kearns mbi financat e saj.

“Presidenti i Serbisë kërcënoi Alicia Kearns, kryetaren e Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Britanik me hetim mbi “financat e saj” pasi Kearns pretendoi se Serbia po kontrabandon armë në Kosovë. Është absurde, NATO dhe intelegjenca perëndimore e di këtë.” – ka shkruar ai.

Në lidhje me këtë, kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme, e falenderoi Selimin.

“Faleminderit Petrit.” – shkroi ajo në Twitter.

Selimi e ka bërë edhe një replikë tjetër me politikanen britanike, duke thënë se “është budallallëk të pretendosh se veriu nuk është i zhytur në armatim”, dhe se Kosova duhet të koordinohet me aleatët dhe NATO-n për ta trajtuar këtë.

“Kishit të drejtë. Është budallallëk të pretendosh se veriu nuk është i zhytur në armatim, milici të armatosur dhe agjentë provokues. Por Kosova duhet të sigurojë koordinim dhe mbështetje të plotë nga NATO dhe aleatët kryesorë për të trajtuar këtë kërcënim. Ne duhet të jemi shumë më të zgjuar në përshtatjen ndaj përbërjes së re gjeopolitike.” – ka shkruar ai.

Sërish, me të ka replikuar deputetja Kearns, e cila ka shkruar: “Pajtohem, plotësisht”.

Ndërkohë, një informacion se në kisha ortodokse po kontrabandohen armë nga autoambulancat, fillimisht u dha nga deputetja britanika, Alicia Kearns.

“…Qeveria është e vetëdijshme, me Fusilierët që sapo janë kthyer nga shërbimi në KFOR, se ka armë që kontrabandohen përmes kufirit nga Serbia në kishat ortodokse me ambulanca. Kur trupat tona bëhen të vetëdijshme për këtë dhe përpiqen të marrin leje për të shkuar dhe për t’i marrë ato, lejet zgjasin shumë. Deri në momentin që ka leje – çuditërisht – një ambulancë është paraqitur në kishë dhe ka nxjerrë përsëri të gjitha armët.” – tha ajo.