Dërgohet në QKUK këmbësorja që u shkel nga vetura në Veternik, nisin hetimet për aksidentin

Një këmbësore është shkelur nga një veturë sot në Veternik të Prishtinës. Aty ku këmbësorëve nuk u është bërë zgjidhje se si ta kalojnë rrugën dhe si pasojë e kësaj rrezikojnë shumë shpesh vetën e tyre.

Zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, tha se këmbësorja u shkel teksa po kalonte rrugën dhe e njëjta është dërguar për trajtim mjekësor në QKUK.

“Rreth orës 15:00, është pranuar informata për një aksident trafiku rrugor të ndodhur në rrugën magjistrale Prishtinë-Ferizaj, respektivisht në Veternik, të komunës së Prishtinës. Nga informatat e para bëhet e ditur se një veturë ka përplasur një këmbësore që po kalonte rrugën në atë moment. Këmbësorja ka pësuar lëndime dhe e njëjta është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor”, tha Borovci për Express.

Hetimet kanë nisur për aksidentin teksa nuk bëhet e ditur për arrestimin e ndonjë personi.

“Policia ka dalë në vendin e ngjarjes, po ndërmerr masat e nevojshme për lehtësimin e qarkullimit rrugor si dhe ka nisur punën për hetimin e shkaqeve që kanë sjellë deri te aksidenti”, përfundoi Borovci.