Dëshmitari i 34-të në Speciale është një serb, thotë se u mor peng nga UÇK-ja

Zyra e Prokurorit të Specializuar gjatë seancës së të enjtes lexoi përmbledhjen e deklaratave që dëshmitari Dragan Ivanisheviq i kishte dhënë, ku thuhet se kishte deklaruar që më 9 shkurt 1999 së bashku me një person të quajtur Velko Markoviq ishin rrëmbyer nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

“Dëshmitarit Dragan Ivanisheviq po vinte nga Prishtina me makinë në mbrëmjen e 9 shkurtit 1999 kur e rrëmbyen disa burra të armatosur me uniformë të UÇK-së. Brenda një ore apo diçka e tillë, UÇK-ja e transportoi dëshmitarin nga një vend në tjetrin me një “Lada” të bardhë. Rrëmbimi i dëshmitarit përkoi me rrëmbimin nga UÇK-ja të Velko Markoviq. Dëshmitari e pa Markoviqin atë ditë disa herë dhe kur i mbajtën bashkë mbrapa një makine “Lada”, duke i çuar nga një vend tek tjetri”, tha prokurori.

Prokurori tha që sipas deklaratave, dëshmitari kishte arritur që të ikte, ndërsa Markoviq kishte mbetur i ndaluar, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Gjatë kësaj kohe, Markoviq i tha dëshmitarit ndër të tjerash se ishte polic, por se do t’iu thoshte kidnapuesve se do të punonte në hekurudhë. Z. Markoviq dhe dëshmitari arritën që ta hapin bagazhin dhe dëshmitari iku, ndërsa Markoviq vazhdoi të ishte i ndaluar nga UÇK-ja”, tha prokurori.

Tutje, ZPS-ja tha se dëshmitari kishte mësuar nga të tjerët se Markoviq ishte parë për herë të fundit më 9 shkurt 1999 dhe se nuk ishte kthyer më në shtëpi.

“Pasi iku, dëshmitari mësoi nga të tjerët, përfshirë edhe nga familja e Markoviq se Markoviqi ishte parë për herë të fundit po atë ditë që dëshmitari ishte rrëmbyer kur i ndali një makinë “Lada” e bardhë. Dëshmitari mësoi se Markoviq punonte si polic për hekurudhën, i njëjti informacion që i kishte treguar vetë Markoviq kur i mbanin bashkë në bagazhin e një makine “Lada”. Dëshmitari mësoi se Markoviq nuk ishte kthyer në shtëpi”, u tha nga ZPS.