Dialogu – Lajçak i informon ambasadorët e BE-së për pritshmëritë dhe të arriturat e negociatave Kosovë-Serbi

Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka treguar se gjatë javës i ka takuar ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së në Bruksel dhe i ka njoftuar për dialogun Kosovë-Serbi.

“Të mërkurën, kam ofruar një informim gjithëpërfshirës për ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së në Bruksel, duke informuar për të arriturat në dialog që nga prezantimi im i fundit në tetor dhe pritshmëritë për vitin 2024”.

“Veçanërisht, të dyja palët njohën zyrtarisht targat e automjeteve të njëra-tjetrës dhe shfuqizuan plotësisht regjimin e afisheve, një hap pozitiv në zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit. Progres i konsiderueshëm është arritur gjithashtu në zbatimin e Udhërrëfyesit për Energjinë”, ka shkruar lajçak në profilin e tij në Facebook.

Lajçak poashtu e ka takuar edhe sekretaren e shtetit francez, Laurence Boone, nga e cila ka marrë mbështetje për dialogun.

Lajçak në fund ka njoftuar se do të jetë pjesëmarrës në Takimin e 54-të Vjetor të Forumit Ekonomik Botëror i cili do të mbahet në Davos të Zvicrës.

Ai aty pritet t’i takojë veç e veç kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiq.