Dilema e BE-së: A do të mundet t’i përballojë financiarisht anëtarët e rinj?

Pushtimi rus i Ukrainës e ka vënë zgjerimin në krye të agjendës së BE. Por vendet që rreshtohen për t’u bashkuar me Bashkimin Europian janë më të varfër se anëtarët ekzistues. Do e boshatisnin buxhetin anëtarët e rinj?

“Pa fermerë, nuk ka më bukë” ky ishte një slogan popullor gjatë më shumë se 200 bllokimeve të rrugëve të organizuara nga fermerët polakë në shkurt të këtij viti. Në periferi të qytetit polak Kock, dy orë me makinë nga kufiri ukrainas, qindra traktorë bllokuan një rrugë për të parandaluar hyrjen e grurit të lirë ukrainas në vend. Për fermerët këtu, ka një shqetësim tjetër të madh: ata i tremben hyrjes së Ukrainës, fqinjes lindore të Polonisë në BE, pasi mund të kërcënojë jetesën e tyre. “Ta harrojnë atë. Kjo është një ide e çmendur”, tha për DW një nga fermerët protestues gjatë bllokadës.

Për më shumë se një dekadë, BE-ja dukej si një klub i mbyllur, ku vendet aspirante ishin rreshtuar në pritje për të hyrë. Por pushtimi rus i Ukrainës e ka ndryshuar rrënjësisht situatën. Në dhjetorin e kaluar BE çeli negociatat me Ukrainën dhe Moldavinë si edhe i dha Gjeorgjisë statusin e kandidatit. “Për shkaqe të kuptueshme, BE-ja tani po e sheh zgjerimin si një instrument sigurie. Buxheti është pjesë e diskutimeve, por mund të mos jetë domosdoshmërisht faktori vendimtar”, thekson për DW, Thu Nguyen, zëvendësdrejtore e institutit të pavarur me qendër në Berlin, Jacques Delors Centre.

Sipas një llogaritjeje të brendshme nga Këshilli Evropian, pranimi i të gjithë kandidatëve do t’i kushtonte BE-së rreth 256 miliardë euro, vetëm Ukraina vlerësohet se do të merrte 186 miliardë euro gjatë shtatë viteve, por këtu nuk janë përfshirë kostot e rindërtimit të vendit pas shkatërrimeve të luftës. Ekspertja Thu Nguyen mendon se “pasojat financiare nuk do të ishin aq të larta sa ç’sugjerojnë disa nga numrat.” Por as Thu Nguyen nuk mund të thotë saktësisht se nga do të vijnë paratë shtesë që i duhen BE. “Është e mundur që ato të vijnë nga vendet anëtare aktuale. Është e mundur që BE të mbledhë fonde nëpërmjet burimeve të reja. Për shembull, ka diskutime rreth një takse plastike apo mekanizmave të rregullimit të CO2-isht.” Disa nga vendet anëtare të BE-së duan ta shtyjnë përpara procesin e anëtarësimit me një shpejtësi të paprecedentë. Nëse do të kenë sukses apo jo, kjo do të varet nga përbërja e ardhshme e Parlamentit të ri Europian që do të zgjidhet në qershor./DW