“Do të mbetet përherë në mendjet tona”, Sveçla shpreh ngushëllime për policin që vdiq derisa ishte në detyrë në Jarinje

Polici Rexhep Sejdiu, ka vdekur derisa ishte në detyrë në kufirin me Serbinë, në Jarinje. Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla ka shprehur ngushëllime për vdekjen e policit, duke thënë se do të mbetet përherë në mendjet e atyre që patën fatin ta takojnë.

E plotë:

Me pikëllim të thellë kam pranuar lajmin e ndarjes nga jeta të Zyrtarit Policor Rexhep Sejdiu gjatë kohës që ishte në detyrë në Stacionin e Njësisë së Ndërhyrjes së Shpejtë të Kufirit në Jarinje.

Rexhep Sejdiun do ta kujtojmë si zyrtar të përkushtuar e të palodhur, të angazhuar në luftë kundër çdo kriminaliteti veçanërisht viteve të fundit në veriun e vendit tonë si pjesëtar i Njësisë së Ndërhyrjes së Shpejtë të kufirit. Bashkë me kolegët e tij, Rexhepi para një viti i rezistoi me qëndrueshmëri bllokimit 19 ditor në Jarinje pasi kishin arrestuar ish-zyrtarin policor Dejan Pantic.

Zyrtari policor Rexhep Sejdiu do të mbetet përherë në mendjet e të gjithë neve që kishim fatin ta takonim gjithnjë në nivel të detyrës e kolegëve që punuan e shërbyen çdo ditë bashkë me të.

Shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes së tij, nënës, bashkëshortes e fëmijëve të tij. Të gjithë kolegëve e Policisë së Kosovës për humbjen e pjesëtarit të tyre.