Dogji vetura në veri, Millovan Bozoviq dënohet me 7 muaj burg

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar të pandehurin, Millovan Bozoviq me shtatë muaj burgim për veprën penale “pjesëmarrje në turmë që kryen vepra penale dhe huliganizëm” dhe për djegie të veturave në veri.

Kundër Bozhoviqit është ngritur aktakuzë më 16 tetor të këtij viti.

Ai akuzohej se kishte shkaktuar zjarrvënie në protesta të dhunshme, ndërsa në seancën e 26 tetorit mbrojtësi e kishte pranuar fajësinë.

Rasti i djegies së veturave në Zubin Potok kishte ndodhur më 30 mars.

Ndërkaq, i pandehuri nuk ka marrë pjesë të hënën në seancën në të cilën është shpallur aktgjykimi.

Më datën 26 shtator, i pandehuri Millovan Bozoviq, përmes avokatit të tij, kishte paraqitur kërkesën për negocimin e marrëveshjes për pranim të fajësisë.

Prokuroria Speciale e Kosovës, më datën 12 tetor 2023 me të pandehurin në prani të mbrojtësit të tij, Asdren Hoxha, në bazë të nenit 230 të Kodit Penal, ka arritur marrëveshje për pranim të fajësisë për veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi” nga neni 404 par. 1 te Kodit Penal.

Prokuroria ka konsideruar se aktakuza është mirë e bazuar dhe e ligjshme, andaj gjykatës i ka propozuar që t’a pranojë marrëveshjen për pranimin e fajësisë, të pandehurin t’a shpallë fajtor, duke marrë parasysh të gjitha rrethanat e kryerjes së këtyre veprave penale, rrezikshmërinë shoqërore dhe pasojat e saj.

Në fjalën e tij në seancë prokurori ka treguar se, Millovan Bozoviq pranon dhe, se prokuroia e ka gjetur përgjegjës se ka qenë prezent dhe ka marrë pjesë në turmën më datën 30 mars 2023, por nuk ka qenë drejtëpërdretë i përfshirë në djegien e dy veturave civile të qytetarëve, por ka qenë pjesë e turmës që ka kryer vepra të tilla.

Ai ishte arrestuar nga Policia e Kosovës më datën 1 prill 2023 për shkak se me veprimet e kryera dyshohet se ka kryer veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”./Dukagjini