Dy të plagosurit në Prishtinë mes vete janë burrë dhe grua

Të shtëna me armë zjarri janë dëgjuar sonte te market ‘Toni’ në lagjen “Bregu i diellit” në Prishtinë, ku dy persona kanë mbetur të lënduar, teksa tre të dyshuar janë arrestuar. Rasti është konfirmuar tashmë edhe nga Policia.

Sipas informacioneve të para, palët e përfshira, të dyshuarit Gentian Makolli dhe G. Makolli (i mitur) në njërën anë dhe viktimat që u plagosën Mehmet Metolli e Ataola Tahiri, dyshohet se kanë pasur një konflikt të mëhershëm që tentuan t’i japin fund sonte.

Dy familjet kanë pasur probleme të mëhershme dhe vendosën që të pajtohen, por që gjithçka eskaloi papritmas dhe u shkrep arma e zjarrit.

Lajmin lidhur me incidentin e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës Flora Ahmeti.

Sot rreth orës 21:00 policia ka marrë informatën për  plagosje me armë zjarri të ndodhur në lagjen Bregu i diellit në Prishtinë.

Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes  dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen.

Bazuar në të dhënat fillestare  dyshohet se me armë zjarri janë plagosur dy persona, të cilët janë dërguar për tretman mjekësor. Hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin  veprimet hetimore ndërkohë që lidhur me këtë rast deri tani janë arrestuar tre persona të dyshuar.“