Dyshime për mallra të falsifikuara, kontrolle në 11 biznese në tri rajone të Kosovës

Dogana e Kosovës e asistuar nga Policia e Kosovës ka kryer sot një aksion në tri rajone të Kosovës, për luftimin e piraterisë dhe falsifikimit.

Zëdhënësi i Doganës, Adriatik Stavileci, ka thënë se gjatë këtij aksioni janë kontrolluar 11 biznese në Prishtinë, Prizren dhe Gjakovë.

“Dogana e Kosovë, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, Drejtoria e Hetimit të Krimeve Kibernetike dhe Inspektorati i Tregut si anëtarë të Task Forcës për luftimin e piraterisë dhe falsifikimit, pas pranimit të informatave dhe punës në teren për verifikim të informatave kanë zbuluar se subjektet tregtare posedojnë mallra që dyshohet se janë të falsifikuara.

Andaj, si rezultat i dyshimit institucionet e kompetente në bashkëpunim dhe koordinim të veprimeve konform kompetencave ligjore kanë planifikuar veprimet operative në terren dhe është zbatuar Plani Operativ, ku janë kontrolluar 11 subjekte tregtare në 3 regjione të Republikës së Kosovës (Prishtinë, Prizren dhe Gjakovë)”, ka thënë Stavileci.