E bleu kamionin por s’i dha kurrë paratë, arrestohet pas një viti gjakovari i dyshuar për mashtrim

Foto ilustrim – Rastet e mashtrimit me shuma të mëdha parash nuk janë të rralla. Shumë herë kosovarët përfundojnë në Polici, ku kërkojnë ndihmë pasi bien pre e rasteve të tilla, që iu shkaktojnë humbje.

Kështu i ka ndodhur edhe një 58-vjeçari në Dobrosh të Gjakovës, i cili shiti një automjet vitin e kaluar, por mori vetëm 20% të pagesës. Kjo e detyroi ta denoncojë të dyshuarin, me ç’rast i njëjti u arrestua pas një viti.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije për Sinjalin se marrëveshja mes palëve ishte lidhur në muajin shtator të vitit të kaluar, kur viktima vendosi që ta shes një kamion në vlerë prej rreth 5 mijë euro, shumë kjo që i dyshuari duhej t’ia paguante.

Por përveç që mbeti pa kamion, gjakovari s’i mori as paratë. Siç mëson Sinjali, viktima ka deklaruar në Polici se i dyshuari ia ka dhënë rreth 1000 euro, ndërsa pjesën tjetër të borxhit ndonëse i kishte premtuar se do ta kryente, një gjë të tillë nuk e kishte bërë.

Pasi s’u bë i gjallë, viktima vendosi të kërkojë ndihmë nga Policia, duke e denoncuar rastin. Si rezultat, pas më shumë se një viti, Policia ka arritur ta arrestojë të dyshuarin, i cili është kapur gjatë ditës së djeshme.

I njëjti është intervistuar në stacion policor për veprën me të cilën ngarkohet dhe me urdhër të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë.