Kompania kosovare e shpërndarjes së energjisë, KEDS, ka njoftuar se do të fillojë ndërprerjet e energjisë elektrike në orën 08:00 të së hënës për shkak të mungesës së prodhimit vendas dhe çmimeve të larta të importit.
“Konsumatorët do të kenë gjashtë orë me energji elektrike dhe dy orë pa”, është shprehur zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, ndërsa kompania nuk ka bërë të ditur se deri kur do të zgjasin shkurtimet.
Duke folur për Reuters, Buzhala ka thënë se kompania po merr vetëm 500 MWh/h nga termocentralet e linjitit dhe burimet e ripërtëritshme dhe se konsumi po arrin deri në 800 MWh/h.
Në një deklaratë të dhënë dielën, KEDS tha se ai dhe operatori i sistemit transmetues të vendit, KOSTT, nuk mund të përballojnë të importojnë energji elektrike dhe duhet të mbështeten në prodhimin vendas.
Rreth 90% e prodhimit të energjisë elektrike në vend është nga thëngjilli dhe njësia energjetike KEK ka thënë se ka mbyllur pothuajse gjysmën e gjeneratorëve të saj për mirëmbajtje të rregullt në mënyrë që të jenë gati për dimër.
Ndërkohë, konsumi i energjisë elektrike në vend priret të dyfishohet në dimër, sepse shtëpitë e përdorin energjinë edhe si burim për ngrohje.
“Nëse do të kemi ndërprerje tani, çfarë do të ndodhë në dimër? A do të ngrijmë?” ka thënë prishtinasi Milaim Berisha, i cili po kontrollonte aplikacionin e distributorit për të zbuluar se kur do të ndërpritej rryma në shtëpinë e tij.
Edhe vitin e kaluar, në muajin dhjetor në vend u prezantuan ndërprerje të ngjashme të energjisë, pas arritjes së konsumit në nivele rekord shkaku i rënies së temperaturave nën zeroi gradë Celsius.
Në fillim të gushtit, parlamenti i Kosovës shpalli një gjendje të jashtëzakonshme energjetike 60-ditore për të ndihmuar qeverinë të ndërmarrë çfarëdo hapi të nevojshëm për të përballuar krizën, përfshirë ndërprerjet e energjisë elektrike. /Nacionale
Rikthimi i reduktimeve: Vjen reagimi i parë nga Qeveria e Kosovës