E qëlloi në pikë të ditës mes qytetit, grabiti një veturë dhe u largua: Krejt çka dihet për vrasjen në Klinë

Një ngjarje tjetër tronditëse ka ndodhur dje në qytetin e Klinës. Një person me emrin Tush Frroku ka hyrë në një lokal në qendër të Pejës, dhe e ka qëlluar me armë Anton Prelën.

Fillimisht Prela u plagos në vendin e ngjarjes, por më pas ai nuk arriti t’u mbijetonte plagëve.

Lajmin për vdekjen e të plagosurit e ka konfirmuar drejtori i QKMF-së në Klinë, Gazmend Bojaj.

“I plagosuri është sjellë në QKMF në Klinë, i është dhënë ndihma, edhe unë kam qenë pjesë e ekipit, pastaj rasti është dërguar në Spitalin e Pejës, dhe mandej nga atje është konfirmuar vdekja e tij”, deklaroi tha Bojaj.

Sipas raportimeve jozyrtare dorasi dhe viktima kanë pasur lidhje familjare, dhe të dy kanë qenë mërgimtarë që kanë ardhur për pushime të verës në Kosovë.

Pasi shtiu me armë, dorasi u largua nga vendi i ngjarjes duke e grabitur një veturë. Më pas, vetura është gjetur afër shtëpisë së tij, por që Frroku vazhdon të jetë ende në arrati.

Policia është në kërkim të të dyshuarit, dhe se trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

“I dyshuari është arratisur në drejtim të panjohur dhe gjatë arratisjes i dyshuari nën kërcënimin e armës nga një qytetar ka grabitur veturën dhe është larguar në drejtim tё Gurrakocit. Njësitet relevante janë vënë në ndjekje të personit të dyshuar dhe me të arritur në fshatin Kosh-Istog është gjetur vetura e braktisur ndërsa personi i dyshuar është ende në kërkim policor. Me vendim të prokurorit të shtetit trupi i pajetë i viktimës dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion”, thuhet në njoftim.

“Më datë 07 gusht 2023, rreth orës 16:50, Policia është informuar se në rrugën ‘Leonard Palucaj’ – Klinё, ka ndodhur një gjuajtje me armë zjarri. Policia menjëherë ka dalë në vendngjarje, aty është kuptuar se një person është plagosur nga arma e zjarrit, i njëjti është dërguar në QKMF-Klinё, dhe më pas në Spitalin Rajonal në Pejë, aty nga mjeku kujdestar është konstatuar vdekja e viktimës”, thuhet në fund.

Policia e Kosovës e ka publikuar edhe fotografinë e të dyshuarit në rrjete sociale, duke kërkuar ndihmë nga qytetarët nëse hasin në personin e dyshuar.

Në anën tjetër Prokuroria e Pejës ka bërë të ditur se i kanë ndërmarrë të gjitha masat për kapjen e të dyshuarit. Në mesin e tyre është edhe ngritja e gatishmërisë nëpër pika kufitare, në mënyrë që të mos lejohet largimi nga vendi i personit të dyshuar.

Në bazë të informacioneve të para, Frrokaj ishte dhëndri i të ndjerit Prela dhe motivi që çoi në vrasjen e tij dyshohet se lidhet me disa konflikte familjare.

Një gjë e tillë pritet të konfirmohet gjatë hetimeve nga organet e rendit, me ç’rast do të zbardhen në plotni të gjitha rrethanat e rastit

Frrokaj, sipas informacioneve që ka Sinjali është emër i njohur për organet e rendit, për shkak të dosjes së tij penale.