E rëndë në Mitrovicë: Vëllai qëllon vëllain me armë zjarri

Një rast i rëndë ka ndodhur të shtunën në rrugën “Mehmet Aqif Aksoy” në Mitrovicë, ku një 22-vjeçar po dyshohet se e ka qëlluar me armë vëllain e tij, pas një mosmarrëveshje dhe për pasojë e ka plagosur. Viktima është dërguar në spital për trajtim, teksa i dyshuari tashmë është kapur.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuari e ka plagosur  me armë zjarri vëllain e tij 20-vjeçar, duke i shkaktuar lëndime trupore, për  çka i njëjti është dërguar me urgjencë në spital.

Sinjali mëson se gjithçka dyshohet se ka ndodhur për shkak të një konflikti që plasi mes dy vëllezërve dhe lidhet me një palë syzë, që u bënë mollë sherri dhe e shtynë të riun ta gjuajë vëllain me armë.

Disa orë pasi i dyshuari shkrepi armën dhe e la të plagosur vëllain, u arrestua dhe u shoqërua në stacion policor për intervistim, ku ka dhënë deklaratën e tij lidhur me rastin.

Arma ilegale që dyshohet se ka përdorur i dyshuari është sekuestruar nga Policia si provë, teksa 22-vjeçari është dërguar në mbajtje për 48 orë.