E rrahu brutalisht gruan pasi u vonua për t’u kthyer në shtëpi, arrestohet 42-vjeçari nga Podujeva

Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë raportohen dhjetëra të tilla, ku zakonisht viktima janë gratë të cilat dhunohen në forma të ndryshme nga partnerët e tyre. Një rast i tillë ka ndodhur dje në Podujevë, ku një burrë ka përfunduar në Polici si i dyshuar për dhunë ndaj bashkëshortes së tij.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se rasti ka ndodhur në fshatin Brainë, ku një burrë 42-vjeçar, pas një konflikti verbal fillimisht ka eskaluar në dhunë psikike ndaj viktimë.

Për të mos mbaruar me kaq, ai edhe e ka rrahur brutalisht, duke e goditur me grushte e madje edhe me lopatë.

Si pasojë e dhunës së përjetuar, viktima ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital, ndërkohë që gjithë ngjarjen e ka rrëfyer në Polici.

Sinjali mëson se bazuar në dëshminë e saj, rasti ndodhi pasi ajo kishte shkuar për vizitë te disa familjarë dhe vonesa për t’u kthyer në shtëpi e ka revoltuar burrin e saj.

Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Pas përfundimit të procedurave policore, me urdhër të prokurorit i njëjti është dërguar në mbajtje dhe ndaj tij është iniciuar rasti për veprën penale ‘Dhunë në familje’.