Edita Tahiri: Pse nuk po publikohet teksti i marrëveshjes që e arriti Kurti?

Kosova dhe Serbia janë marrë vesh lidhur me pranimin e dokumenteve identifikuese të njëra – tjetrës. Ish-kryenegociatorja Edita Tahiri, e cila kishte nënshkruar marrëveshje për këtë çështje në vitin 2011, ka një pyetje.

Edita Tahiri është përmendur shumë këto ditë, pasi Kryeministri Albin Kurti, me ndërmjetësimin e BE-së dhe SHBA-së, u mor vesh me Presidentin serb, Aleksandër Vuciqin, për të zbatuar marrëveshjen e nënshkruar në vitin 2011, për lëvizjën e lirë.

Vetë ish-kryenegeciatorja pyet se pse nuk po publikohet teksti i marrëveshjes, për arritjen e së cilës u njoftua të shtunën.

“Marreveshja per finalizimin e zbatimit te marreveshjes per levizjen e lire te 2011 u arrite per letra shoqeruese, ajo e targave po pritet. Pyetja eshte pse nuk po publikohet teksti i kesaj marreveshje?”, ka shkruar Tahiri në Facebook.

Presidenti serb ka deklaruar se në fakt marrëveshja është gojore dhe, sic ka lënë të kuptohet ai, nuk ka diçka të re të shkruar.

“Marrëveshja është gojore. Marrëveshja u arrit në vitin 2011. Luftuam për të korrigjuar diçka dhe ia dolëm të korrigjojmë diçka. Nuk mund të avokosh për një Ballkan të hapur dhe të mbyllësh të gjithë të tjerët”, ka thënë Vuciq.

Kosova dhe Serbia akoma nuk janë marrë vesh për targat, pasi Qeveria e Kosovës ka vendosur që prej 1 shtatorit të mos lejojë hyrjen me targa të lëshuara ilegalisht nga Serbia, për rajone të ndryshme të Kosovës, ashtu sic i njeh Serbia (UR, KM..).

Por, palët janë dakorduar që të lejojnë hyrjen e shtetasve të njëra – tjetrës, pa u dhënë një letër hyrje/dalje. Kosova planifikonte që, si masë reciproke ndaj Serbisë, lëshimin e kësaj letre ta niste prej 1 shtatorit./Express