Era zgjedhje: Dy njerëzit kryesorë të VV-së në Kuvend janë shprehur pro zgjedhjeve të reja, Kurti hesht

Lëvizja Vetëvendosje po e trason rrugën për zgjedhje të parakohshme këtë vit. Zyrtarë e larë të kësaj partie nuk po e përjashtojnë mundësinë e mbajtjes së këtyre zgjedhje.

Madje, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, kanë përmendur edhe arsyet që mund ta dërgojnë vendin drejt kutive të votimit.

Dy njerëzit kryesor të VV-së në Kuvend kanë thënë se gjatë këtij viti priten dinamika, të cilin mund të kenë ndikim në ndërprerjen e mandatit aktual.

Javën e kaluar, kryeparlamentari Glauk Konjufca, ka thënë se për shkak të zhvillimeve që pritet të ndodhin gjatë vitit 2024 në SHBA dhe BE është mirë që institucionet e Kosovës të marrin legjitimitet të ri.

Është mirë që të shkohet në zgjedhje të parakohshme. Nuk mund ta përjashtoj mundësinë për zgjedhje të parakohshme. Mua më duket që mandati, nëse qeveria mendon se duhet të shkojë deri në fund, kush jam unë t’iu përzihem. Mirëpo, për shkak të vitit 2024 dhe zhvillimeve që i përmenda, do të dëshiroja, ky është mendim imi më privat, që Kosova të mos kalonte nëpër këto procese, e që këto procese të ndikojnë në legjitimitetin e pushtetit të ardhshëm në Kosovë.”, ka deklaruar ai në “Klan Kosova”.

Sipas tij, mbajtja e këtyre zgjedhjeve do të ishte në interes të Kosovës.

Do të dëshiroja më tepër, është alternativa që e mendoj, që do të ishte shumë më e dëshirueshme… këtë nuk e kam për Lëvizjen vetëvendosje, e kam për Kosovën, do të ishte më e shëndetshme që legjitimiteti i pushtetit të ri të përballet me ato sfida, e jo ato sfida të orientojnë karakterin e legjitimitetit”, është shprehur Konjufca.

As shefja Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, nuk e ka përjashtuar mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të reja.

Në një intervistë për RTK, ajo ka thënë se viti 2024 pritët të jetë me dinamika të shumta.

“Nuk ka ndonjë parashikim specifik, i cili lidhet me ndonjë datë. Është vit zgjedhor në krejt boten. Nuk e përjashtojë siç e përmenda, se është një vit me dinamika të shumta. Por jo domosdoshmërish mund të garantoj se do të këtë zgjedhje të jashtëzakonshme”, ka thënë Kusari

Deputetja e VV-së ka vlerësuar se mbajtja e zgjedhjeve të reja nuk duhet të jetë befasi.

Sipas kalendarit zgjedhor ka mundësi që deri në fund të vitit të organizojmë zgjedhje të rregullta të cilat do të jenë në përputhje me kalendarin zgjedhor, i cili në të kundërtën do të ishte në shkurt të vitit 2025. Por, para dhe pas në periudhën 60 ditore ka mundësi të diskutimit ndërmjet subjekteve politike me presidenten e vendit për të gjetur një datë të përbashkët. Prandaj, nuk do të ishte risi nëse Kosova do të ballafaqohet me proces zgjedhur këtë vit. Pra, nuk do të ishte krejtësisht e jashtëzakonshme.”, ka deklaruar ajo.

Opozita e gatshme për zgjedhje

Opozita është shprehur e gatshme për zgjedhje të reja. Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi dhe ai i AAK-së, Ramush Haradinaj, janë shprehur të bindur se do të ketë zgjedhje të parakohshëm.

I pari i PDK-së ka thënë se sa më herët që mbahen zgjedhjet aq më mirë është.

Unë besoj që kjo do të ketë ndikim edhe tek veprimet që ndërlidhen me zgjedhjet e parakohshme për të cilat unë jam i bindur që ne do t’i mbajmë në vitin 2024.”, ka thënë ai në një intervistë për EO.

Kurse, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, pret që këto zgjedhje të mbahen në pranverë të këtij vit.

Kjo i bie se ne edhe ashtu në fund të vitit që vjen do t’i kemi zgjedhjet me kalendar të rregullta, por ato mund të mbahen më herët në pranverë. Kjo që po ndodh është aromë zgjedhje”, është shprehur Haradinaj në një intervistë për KP.

Sipas tij, të gjitha partitë politike në Kosovë janë duke u përgatitur për zgjedhje.

Të gjithë po bëhen gati për zgjedhje, jemi në fushatë, dihet që kemi hyrë në fushatë, por është e dhimbshme nëse partitë shpenzojnë dhjetëra-mijëra euro me “iu marrë mend” njerëzve, t’iu thuhet se ky është fituesi, ai është fituesi. Kështu ndodhi mashtrimi me zotëri Kurti atëherë.”, ka thënë Haradinaj.