“Është viti 2022 dhe në marketin e lagjes e marrë bukën veresi”, rrëfimi i 55-vjeçarit shqiptar të papunë

Rritja e ndjeshme e çmimeve të ushqimeve e ka përkeqësuar situatën për mijëra familje në kushtet e varfërisë në Shqipëri.

Qarku i Gjirokastrës është nga më të prekurit, ku një pjesë e madhe e familjeve me ndihmë ekonomike jetojnë në zonat ku papunësia prej vitesh është e lartë. Institucionet shtetërore të mbrojtjes sociale thonë se 6 muajt e fundit kanë rritur ndihmën për familjet me shumë pjesëtarë.

Tregu i sendeve të përdorura është nga vendet më të populluara të Gjirokastrës, një tregues i varfërisë së qindra familjeve që nuk arrijnë të sigurojnë dot të ardhura për të plotësuar nevojat. Por kohët e fundit rritja e çmimeve të ushqimeve po i shtyn qindra familje në kushte mbijetese.

Në një nga lagjet e Gjirokastrës që quhet “Blloku i furrave”, Pëllumb Kuci, 55 vjeç, thotë se është i papunë dhe e shënon emrin në lista për të marrën bukën e përditshme në një njësi ushqimesh fare pranë banesës.

“Jeta është bërë e vështirë pasi çmimet janë rritur tej mase dhe është e pamundur ta përballosh. Unë aktualisht nuk kam asnjë të ardhur, figuroj i papunë”, thotë ai.Pëllumbi po përpiqet të gjejë një punë, por është edhe në proces të kërkimit të ndihmës ekonomike në Bashki.

Ai thotë më tej se deri para pak kohësh jetonin në familje me pensionin e të atit, i cili ndërroi jetë.

“Thuaj me atë pensionin e tij rrotulloheshim, ndërsa tani po të vesh tek ai dyqani ushqimor mund të shohësh që e marrim bukën me listë. Është viti 2022 dhe e hamë bukën me listë”, thotë ai.

Majlinda, një fqinje, po kështu është në vështirësi ekonomike në familjen e saj. Ajo e humbi mbështetjen ekonomike në bashki pasi u fut përkohësisht në punë, por tani e ka të pamundur të punojë prej problemeve shëndetësore.

“Kishim atëherë ndihmë ekonomike, por ma prenë se u futa në punë. Tani është shumë e vështirë të ma rikthejnë, megjithëse i kam thënë burrit të shkojë dhe të interesohet në bashki se mos na e rikthejnë pasi unë nuk shkoj më në punë”, thotë ajo.

Majlinda thotë se kërkoi të përfshihej tek personat me invaliditet dhe udhëtoi edhe në Tiranë për të kryer aplikimin, por ende kjo nuk i është aprovuar.
Majlinda , djali dhe bashkëshorti jetojnë tani vetëm me të ardhurat që burri siguron kur punon në kohë të pjesshme ku të mundet.

Banorët e varfër të kësaj lagjeje në jo pak raste i marrin ushqimet me listë, thotë Natasha Shena që shet në një njësi të vogël ushqimore duke treguar fletoren e detyrimeve të klientëve.

“Puna është bërë shumë keq, çmimet janë ngritur, por rrogat nuk janë ngritur; ku do falen të varfërit , tek ne dyqanet e vogla se tek të mëdhenjtë i kanë me lekë, ne i kemi me lista” , thotë ajo.

Natasha thotë se çmimet e produkteve kryesore ushqimore janë rritur dhe kjo rritje vazhdon për artikujt kryesorë ushqimorë.