“Fatkeqësisht ka ngecur”, zëdhënësja e Pahor konfirmon përgatitjen e projekt-planit për vazhdimësinë e dialogut

Ish-presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, kandidat për i dërguar special i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është duke përgatitur një draft për vazhdimin e negociatave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka thënë zëdhënësja e Borut Pahorit, Spela Vovk.

“Në kontekstin e kandidaturës së tij për i dërguar special i BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë, Borut Pahor është duke punuar në përgatitjen e një projekt-plani për zbatimin e mëtejshëm të suksesshëm të dialogut, i cili fatkeqësisht ka ngecur”, tha Vovk për Vijestin.

Ajo theksoi se Pahor, para se të përfundojë draftin, dëshiron të konsultohet me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borell, anëtarë të BE-së dhe përfaqësues të shteteve QUINT-it.

Me mbështetjen e kryeministrit Robert Golob dhe shefes së diplomacisë Tanja Fajon, Borut Pahor është kandidati i Sllovenisë për i dërguar special i BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

Ka disa të dërguar specialë të BE-së, dhe ata punojnë në zyrën e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, që aktualisht është politikani spanjoll Josep Borej.

Funksionin e të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës e mban aktualisht diplomati sllovak Miroslav Lajçak, i cili këtë vit po largohet për postin e ri të ambasadorit të BE-së në Zvicër.