Faton Peci kritikon ish-kryeministrin: Paska folë prapë qyqja e natës, Hoti i Rahovecit s’di asgjë për bujqësi

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, i ka reaguar ashpër ish-kryeministrit Avdullah Hoti, i cili ka thënë se kjo ministri është prej dikastereve qeveritare që nuk kanë realizuar asnjë cent për investime kapitale.

Vlerësimet e Hotit për këtë dikaster qeveritar të dhëna në emisionin “Euro” të T7 e kanë nervozuar ministrin Peci.

Ky i fundit, nuk i ka kursyer as fyerjet ndaj deputetit të LDK-së, duke e quajtur qyqe të natës.

Në profilin e tij në “Facebook”, Peci ka shkruar se Hoti nuk merr vesh fare në bujqësi.

Paska folë prap qyqja e natës! Punën e Ministrisë së Bujqësisë, e vlerësojnë fermerët së pari e pastaj qytetarët e Republikës së Kosovës! Buxheti për bujqësinë në vlerë prej 87 milionë euro, ku shumica kategorizohen përmes programeve tona mbështetëse përmes subvencioneve dhe granteve do të implementohen të gjitha. Vetëm 2 milionë euro apo 2.3% të buxhetit total të MBPZHR-së janë investime kapitale për ngritjen e kapaciteteve në ujitje për 8 komuna të Republikës së Kosovës. Këto 8 projekte të ujitjes po implementohen secili në bashkëpunim me komunat përkatëse. Intervali i realizimit të këtyre projekteve është periudha shtator – dhjetor për të mos dëmtuar vegjetacionin e të mbjellave”, ka shkruar Peci.

Më tej, i pari i bujqësisë ia ka përmendur Hotit edhe rajonin prej nga vjen.

Hoti i Rahovecit nuk e din as ABC-në e bujqësisë mirëpo Rahoveci i Hotit ka ditur ta vlerësojë kush dhe çfare është Hoti çdo herë! Se kush ka qenë më i mirë në planifikim dhe realizim të buxhetit qe një krahasim i thjeshtë: Viti 2022 është përmbyllë me zero borxhe karshi 30 mijë fermerëve përfitues! Ndërsa Hoti si Kryeministër e ka mbyllë një vit të shkretë buxhetor me 40 milionë euro obligime karshi fermerëve në bujqësi. Xhelozia dëmton rëndë shëndetin!”, ka shkruar Peci.