‘Favore për dosta’: Lidhjet e forta të guvernatorit me pronarët e kompanive të sigurimit

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismajli, para se ta merrte këtë pozitë, del se ka pasur një historik të gjatë të bashkëpunimit me disa prej pronarëve të kompanive të sigurimit në Kosovë, si dhe ata nga sektori bankar. Për vite të tëra ai ka qenë në pozita të ndryshme si punëmarrës në këta dy sektorë.

Por tash kur është në pozitën e guvernatorit dhe në rol mbikëqyrës ndaj ish-punëdhënësve, një vendim favorizues për kompanitë e sigurimit në dëm të policëmbajtësve, ka ngritur dyshime të forta për ndërhyrje në BQK nga grupe të caktuara të interesit.

Pak muaj pasi mori pozitën e guvernatorit, Ismajli ka aprovuar një kërkesë të kahmotshme të kompanive të sigurimit, e cila mundëson që trajtimi i dëmeve nga aksidentet e shkaktuara nga mjetet motorike të paidentifikuara dhe të pasiguruara, t’u kalojë në kompetencë kompanive veç e veç.

Vendimi, i cili është marrë nga Asambleja e Byrosë Kosovare të Sigurimeve, favorizon kompanitë e sigurimit në dëm të policëmbajtësve (qytetarëve), duke rritur rrezikun që trajtimi i dëmeve të zvarritet me vite.

Deri më tani kjo ka qenë në kompetencë të Byrosë Kosovare të Sigurimeve, si një trup e veçantë për të shmangur konfliktin e interesit.

Me vendimin e ri kompanitë e sigurimit vetë do të vendosin për vlerën e kompensimit si dhe rritet rreziku që rastet qëllimshëm të mos përfundojnë me marrëveshje jashtëgjyqësore, por të kalojnë tek gjykatat.

Me datën 9 nëntor të këtij vit, Ismajli ka pritur në zyrën e tij në një takim të gjithë përfaqësuesit e kompanive të sigurimit, pak ditë pas aprovimit të kërkesës së këtyre të fundit për kalimin e kompetencave në trajtimin e dëmeve të shkaktuara nga mjetet motorike të paidentifikuara dhe të pasiguruara.

‘Takimet joformale’ të Ismajlit me ‘dostat’ e sigurimeve

Mirëpo, aprovimit të tij ndaj një vendimi favorizues për kompanitë e sigurimit dhe në dëm të policëmbajtësve, i paraprinë një mori takimesh joformale me përfaqësues të industrisë së sigurimeve dhe asaj bankare.

Sipas CV-së të bërë publike, Guvernatori Ismajli del të këtë pasur një bashkëpunim të gjatë me disa prej pronarëve në tregun e sigurimeve, por edhe nga sektori bankar në Kosovë. Ndaj këtyre dy sektorëve, ai sot ka rol mbikëqyrës, në pozitën e guvernatorit të BQK-së.

Vlen të përmendet këtu bashkëpunimi i tij i gjatë me kompaninë e sigurimit “Sigal”. Gjatë viteve 2013-2017, Ismajli ka qenë anëtar bordi në kompaninë e sigurimit Sigal, ndaj së cilës tash si guvernator ka rol mbikëqyrës.

Me ta marrë mandatin si guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismajli, në dy vizitat e para që ka realizuar jashtë zyrës, lidhen me sektorin bankar. Të dy këto takime të zhvilluara me përfaqësues të bankave dhe kompanive të sigurimit më shumë duken të karakterit joformal.

Takimi i parë është zhvilluar me datën 4 shtator me ftesë të Këshillit të Investitorëve Evropian, një organizatë joqeveritare e cila është krijuar nga disa banka, kompani të sigurimit dhe kompani tjera të sektorit privat.

Takimi, siç duket edhe nga fotografitë, më shumë është i karakterit joformal, derisa në përshkrim thuhet se “e qerasëm guvernatorin me një mëngjes”.

Në këtë organizatë, anëtarë dhe themelues janë disa nga punëdhënësit e dikurshëm të Ismajlit. Bëhet fjalë për bankën ProCredit, dhe kompaninë e sigurimit Sigal. Ismajli gjatë viteve 2013-2017 ka qenë anëtar bordi në kompaninë Sigal, ndaj së cilës tash si guvernator ka rol mbikëqyrës. Ndërsa në ProCredit ka punuar gjatë viteve 2007-2008, në Departamentin e Riskut.

Takimi i dytë si gurvernator është zhvilluar me datën 6 shtator me ftesë të Shoqatës së Bankave të Kosovës, e cila avokon dhe mbron interesat e bankave në Kosovë. Me këtë shoqatë, Ismajli, nga ajo që ka shkruar në CV-në e tij, del se ka pasur një bashkëpunim të gjatë. Prej vitit 2006 e deri në tetor 2022, ai ka qenë i angazhuar si trajner në kurse të ndryshme të organizuara nga Shoqata e Bankave.

Në ambientet e kësaj shoqate, Ismajli është takuar edhe me përfaqësuesit e Bankës Kombëtare Tregtare (BEK), në të cilën kishte punuar prej vitit 2008 deri më 2013, në pozitën drejtor i degës.

Çka thotë vendimi?

Në kuadër të Byrosë Kosovare të Sigurimeve funksionon Fondi i Kompensimit i krijuar me ligj, i cili ka për qëllim kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga aksidentet në trafik, në rastet kur shkaktar i aksidentit është një mjet motorik i pasiguruar apo i paidentifikuar.

Me vendimin e ri kjo kompetencë tash do t’iu kalojë kompanive të sigurimit.

Buletini Ekonomik mëson se vendimi është marrë nga Asambleja e Byrosë Kosovare të Sigurimeve muajin e kaluar, por që ka gjetur mbështetjen e guvernatorit Ahmet Ismaili.

Në të kaluarën, kjo kërkesë nuk ishte miratuar nga asnjë guvernator për t’i ikur konfliktit të interesit dhe rrezikut që kompanitë mund të abuzojnë me të drejtat e të aksidentuarve në Kosovë, nga kjo kategori.

Vlerësohet diku se rreth 90 për qind e kërkesave për zhdëmtim përfundojnë në gjykata, e të cilat marrin kohë me vite për tu trajtuar.

Përmes këtij vendimi, kompanitë e sigurimit vetë do të vendosin për vlerën e kompensimit si dhe rritet rreziku që rastet qëllimshëm të mos përfundojnë me marrëveshje jashtëgjyqësore, por të kalojnë tek gjykatat.

Në BQK nuk janë përgjigjur në pyetjet e Buletinit Ekonomik rreth arsyes prapa një vendimi të tillë. Përgjegjësinë e kanë hedhur tek Byroja Kosovare e Sigurimit. Kjo e fundit nuk ka kthyer përgjigje deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi.

“Në bazë te ligjit, Delegimi i dëmeve nga BKS tek anëtarët e saj, nuk është në kompetencën e BQK-së, kjo është në kompetencën e anëtarëve të Asamblesë së Përgjithshme te BKS”, ka thënë Besnik Kada, zyrtar për informim në BQK.

Ndërkaq, bazuar në Ligjin Nr. 04/L-018 Për Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia, respektivisht Neni 18 paragrafi 3, thuhet se Byroja mund t’ia delegojë trajtimin dhe pagesën e këtyre dëmeve njërit prej anëtarëve të vet ose një strukture të specializuar për trajtimin e dëmeve të licencuar nga BQK-ja, e cila është e detyruar të trajtojë dhe të paguajë dëmin me shpenzimet e fondit të kompensimit.

Eksperti i sigurimeve, Besnik Nikçi, ka thënë se në kuptimin ligjor por edhe si praktikë ndërkombëtare, ky vendim është krejt në rregull, mirëpo ka shtuar se ka dilema rreth asaj se a kanë kompetencë profesionale dhe vullnet kompanitë e sigurimit për trajtim profesional të dëmeve nga aksidentët, nga kjo kategori.

“Nga mënyra se si janë trajtuar dëmet në të kaluarën lë shumë për të dëshiruar. Pjesa më e madhe dëmeve përfundojnë në gjykata, ku rastet vonohen me vite”, ka thënë Nikçi.

Aktualisht në industrinë e sigurimeve dhe nëpër gjykata, sipas statistikave zyrtare, janë 32 mijë raste që kanë probleme me kompensim të dëmit. Këto raste njihen si dëme pezull, ndërsa kërkesat financiare për këto 32 mijë raste të dëmeve shkojnë deri në 80 milionë euro. Dëmet pezull, janë dëmet që presin, qoftë nëpër kompani të sigurimeve, qoftë nëpër gjykata për tu zgjidhur, duke tejkaluar të gjitha afatet ligjore në dëm të qytetarëve (policëmbajtësve). /Buletini Ekonomik/