Favorizohen komunat e VV-së, diskriminohet opozita: Qysh i ndau Qeveria Kurti paratë për investime të reja kapitale për vitin 2024?

Instituti GAP ka publikuar analizën e Projektit Buxheti 2024, duke hedhur dritë mbi investimet e reja kapitale në nivel qendror dhe ndarjen e tyre nëpër komunat e Kosovës.

Në publikim vihet re se qeveria Kurti vazhdon t’i favorizojë komunat e udhëhequra nga Vetëvendosje (VV) në investimet e reja kapitale për vitin 2024. Nga ana tjetër, për një sërë komunash që udhëhiqen nga opozita, nuk është ndarë asnjë cent. Kjo ka shkaktuar reagime të ashpra nga opozita. Zyrtarët e opozitës e kanë quajtur këtë “hakmarrje politike”.

Sipas Projektit Buxheti 2024, vlera e investimeve kapitale të reja të nivelit qendror për projekte specifike në komuna është 21.8 milionë euro. Në këtë shumë, mbi gjysmën e saj, ose 59.5%, (13 milionë euro) është drejtuar në katër komunat e udhëhequra nga VV, të cilat përbëjnë 14.5% të sipërfaqes në Kosovë dhe 11.6% të popullsisë.

Gjilani vazhdon të jetë komuna me investimet më të larta, duke përfituar 29% të gjithsej shume, ose 6.3 milionë euro. Ndërsa Shtimja dhe Prishtina ndjekin pas me 12.6% dhe 10% të investimeve të reja, të cilat përbëjnë 2.7 milionë dhe 2.3 milionë euro, respektivisht.

Pjesë interesante nga analiza e GAP është ndarja e investimeve për kokë banori. Komuna e Shtimes ka një vlerë të lartë me 102.15 euro investime për kokë banori. Gjilani dhe Kamenica ndjekin pas me 85.69 dhe 80.26 euro investime për kokë banori.

Katër komuna që udhëhiqen nga Partia Demokratike e Kosovës; Ferizajn, Skënderajn, Kaçanikun e Hanin e Elezit, nuk figurojnë fare në listë.

Në një tubim elektoral në vitin 2013, para qytetarëve të Skenderajt, Kurti kishte thënë se Qeveria e saj kohe vetëm kishte krijuar përshtypjen se po e ndihmon Drenicën.

Qeveria e Kosovës e ka krijuar përshtypjen që po e zhvillon dhe po e ndihmon Drenicën shumë, mirëpo komuna e Skenderajt është komuna me nivelin më të naltë të papunësisë në Kosovë, plot 67 për qind, dhe nder komunat më të varfra në Kosovë. Nëse kështu po e ndihmon Qeveria e Kosovës Skenderajn, besoj që Skenderaj është shumë më mirë ia del pa ndihmën e Qeverisë së Kosovës”, ka thënë Kurti.

Ndërkohë, komunat e qeverisura nga LDK, që kanë 23.7% të popullsisë dhe 15.8% të territorit, marrin vetëm 17.8% të investimeve në projekte kapitale nga niveli qendror.

Burimi: Instituti GAP/Projektbuxheti 2024.

Visar Azemi, anëtar i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka kritikuar ashpër ndarjen e investimeve të reja kapitale për komunat, duke akuzuar pushtetin se po favorizon komunat e udhëhequra nga Lëvizja Vetëvendosje (VV).

Këto shqetësime sipas tij, nuk vijnë vetëm nga opozita, por edhe nga shoqëria civile, duke përdorur Institutin GAP si bazë për argumentet e tij.

Duke iu referuar publikimit të GAP, Azemi shtoi se këto katër komuna, që përfaqësojnë vetëm 11.6% të popullsisë dhe 14.5% të territorit të vendit, po marrin 13 milionë euro ose 59.5% të shumës totale.

“Rreth 13 milionë euro apo 59.5% e kësaj shume shkojnë për këto katër komuna, derisa ato e përbejnë veç 11.6 të popullsisë së Kosovës dhe janë vetëm 14.5% e territorit të vendit. Në anën tjetër, komunat që i qeverisë LDK, e përbëjnë numrin më të madh të popullsisë, 23.7%, dyfishin e atyre që i udhëheq VV. Këto komuna po ashtu zënë 15.8 të territorit të vendit, prapë më shumë. E, përkundër kësaj, vetëm 17.8% e investimeve në projekte kapitale nga niveli qendror shkojnë në to.”– ka thënë Azemi.