Feith: ShBA po e humb durimin me Kosovë, nuk e keni më simpatinë e perëndimit si dikur

Ish-përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian në Kosovë, Pieter Feith, ka thënë se administrata e Biden është duke e humbur durimin me Kosovën.

Gjithashtu ai ka paralajmëruar kosovarët se vendi i tyre nuk e gëzon më simpatinë e ShBA-së dhe BE-së si dikur.

Në një intervistë për Tëvë 1, Feith, fillimisht ka folur për moszbatimin e Marrëveshjes Themelore nga Kosova dhe Serbia.

Diplomati evropian thotë së është Prishtina ajo që do t’i vuaj më shumë pasojat nga mungesa e progresit në dialog me Serbinë.

“Është për të ardhur keq sepse nuk ka vullnet politik nga asnjëra palë që të bëhet progres i mëtutjeshëm, por ne veçanti mendoi se Kosova do t’i vuaj më shumë pasojat. Nëse palët e marrin seriozisht marrëveshjen e arritur në Ohër, atëherë gjërat të do të lëviznin përpara dhe kjo do t’i ndihmonte Kosovës që të anëtarësohej në organizata të ndryshme ndërkombëtare si dhe në Kombet e Bashkuara”, u shpreh Feith.

E më pas, ai u ndal tek raportet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Feith tha se ShBA-të janë duke e humbur durimin me Kosovën, për shkak se kjo e fundit nuk është duke bërë progres të mjaftueshëm.

Ai ka dhënë edhe një paralajmërim, jo të mirë, për Kosovën, nëse kjo e fundit vazhdon t’i përkeqësojë raportet me ShBA-të.

“E shoh se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qëndrim kritik ndaj qeverisë së Kosovës, dhe kjo është e paprecedent. Duket qartë se administrata e Biden është duke e humbur durimin me Kosovën, për shkak të progresit të ngadalshëm. Unë nuk e kam parë më herët një qëndrim kaq kritik të SHBA-së karshi Kosovës që kur kjo e fundit ka shpallur pavarësinë në vitin 2008. Do të ishte me të vërtet një tragjedi për Kosovën, nëse ajo e humbet mbështetjen e Shteteve të Bashkuara”, deklaroi ai.

“Në Kosovë duhet ta kuptojnë se në Evropë është duke u zhvilluar një luftë e ashpër, dhe fokusi i kryeqendrave botërorë është aty. Prandaj duhet ta keni parasysh se gjërat nuk janë ashtu siç kanë qenë më parë dhe ju nuk mund të llogarisni në simpatinë dhe mbështetjen që dikur e keni pasur. Megjithatë nuk mendoi se SHBA-të dhe BE-ja po e mbështesin Vuçiqin në këtë proces. E di që nuk është e lehtë, por e sugjeroj kryeministrin Kurti që të bëjë më shumë përpjekje të dialogojë me serbët në veri të Kosovës në vend se t’i dërgoj njësitet speciale atje”, shtoi Feith./Nacionale