FFK vendos: Ndeshja Ulpiana – Vllaznia ishte e kurdisur

Komisioni i Garave i Federatës së Futbollit të Kosovës e ka cilësuar të kurdisur ndeshjen mes skuadrës së Ulpianës e Vllaznisë së Pozhoranit të zhvilluar në kuadër të Grupit B të Ligës së Parë.

Me vendim të Komisioni të Garave rezultati i ndeshjes është anuluar, ndërkaq ndaj akterëve të përfshirë është inicuar procedurë disiplinore.

Në vendimin e tyre KG-ja njofton se ka marrë parasysh video-incizimet e ndeshjes, duke cilësuar veprimet e disa individëve si shkelje të nenit 60 paragrafi 1 “mosangazhimi në lojë ose lëshimi i qëllimshëm i kundërshtarit të shënoj gol”.

Nga FFK-ja bëhet e ditur se me rastin e marrjes së këtij vendimi, federata ka siguruar edhe disa mesazhe mes disa futbollistëve lidhur me zhvillimin dhe rezultatin e ndeshjes të cilat do të mbeten konficdenciale.

“Komision i Garave gjatë regjistrimit të ndeshjeve ka konstatuar se ndeshja Ulpiana-Vllaznia ka qenë e kurdisur. Bazuar nga deklaratat e personit zyrtar të FFK-së dhe xhirimit televiziv dhe konfmorm nenit 97, pika F të Rregullores Disiplinore, është vërtetuar mosangazhim në lojë i ekipit vendas, sipas nenit 60 paragrafi 1, pika F, e Rregullores Disiplinore, e cila parasheh “Mosangazhim në lojë” (Lëshim i qëllimshëm i kundërshtarit për të shënuar gol pa angazhim, angazhim inert, mosdëshirë për lojë, dëmtim i ekipit të tij me qëllim), komunikimi i disa lojtarëve me SMS lidhur me zhvillimin dhe rezultatin e ndeshjes si dhe të dhënat nga disa raporte tjera konfidenciale”, thuhet ndër të tjera në raportin e Komisionit të Garave të FFK-së.

FFK-ja ka anuluar rezultatin e ndeshjes e cila kishte përfunduar me rezultat 3:4, në favor të skuadrës së Vllaznisë së Pozhoranit, ndërsa është inicuar procedurë dispilinore ndaj akterëve të ndeshjes si dhe të dyja klubeve.