Fillon të përhapet varianti “Eris” i Covid-19 në Britani

Nën varianti i ri i variantit Omicron të COVID-19, Eris (EG.5.1), është përhapur në të gjithë Britaninë e Madhe, sipas Agjencisë së Sigurisë Shëndetësore të Britanisë së Madhe (UKHSA).

Sipas UKHSA, varianti i ri Eris përbën një në çdo 7 raste të reja në mbarë vendin.

Eris u regjistrua si varianti i dytë më i zakonshëm në Mbretërinë e Bashkuar, pas Arcturus, i cili përbën rreth gjysmën e rasteve, me 39,4 për qind.

Autoritetet raportuan se po monitorojnë nga afër situatën teksa vazhdon rritja e rasteve me COVID-19 në mbarë botën.

Sipas Studimit Zoe COVID-19 Sympton, i cili vlerëson shifrat për infeksionet dhe shkallën e vaksinimit nga COVID-19 në Mbretërinë e Bashkuar, numri i vlerësuar i rasteve, i cili ishte 606.656 më 4 korrik, u rrit me 200.000 duke shkuar në rreth 785.980 në 27 korrik.

Kontakti në hapësira të mbyllura dhe imuniteti i reduktuar mund të shkaktojnë rritje

Ekspertët pretenduan se rritja e rasteve të COVID-19 në vend mund të lidhet me grumbullimin e miliona njerëzve në kinema, pasi filmat Barbie dhe Oppenheimer u shfaqën në kinematë më 21 korrik.

Mendohet se grumbullimi i njerëzve në distancë të afërt në zona të mbyllura dhe dobët të ajrosura mund të ketë rritur shkallët e transmetimit.

Thuhet se rënia e imunitetit ndaj sëmundjes dhe kalimi i një periudhe të caktuar kohore pas vaksinave kundër COVID-19 mund të shkaktojë edhe rritje të rasteve.