Fitimi rekord i bankave me 2021 erdhi kryesisht nga tarifat për shërbime

Viti 2021 për bankat në Kosovë ishte me mjaft ‘bereqet’. Vlera e profitit neto arriti në 117.5 milionë euro, nga 79.9 milionë sa ishte në vitin paraprak, 2020.

Sipas raportit për stabilitetin financiar të BQK-së, kjo rritje e fitimit erdhi kryesisht nga tarifat për shërbime dhe komisionet.

“Të hyrat u karakterizuan me rritje vjetore më të përshpejtuar se shpenzimet, me ç’rast të hyrat nga jo-interesi (tarifat dhe komisionet) ishin kategoria e të hyrave që kontribuoi më shumë në realizim të profit”, thuhet në raport.

Sipas këtij raporti, të hyrat për sektorin bankar u rritën për 15.4 përqind si rezultat i rritjes më të lartë të të hyrave nga jo-interesi (tarifat dhe komisionet) dhe deri në një masë të hyrave nga aktiviteti kreditor.

“Të hyrat neto nga jo-interesi ishin kontribuesit që ndikuan rritjen e profitit në raport me kontributin e të hyrave neto nga interesi. Të hyrat neto nga interesi u rritën për 5.9 përqind apo 11.2 milionë euro, si rezultat i të hyrave nga aktiviteti i rritur kreditor.

Ndërsa të hyrat neto nga jo-interesi janë rritur për 35.3 milionë euro, si rezultat i rritjes së të hyrave nga tarifat dhe komisionet dhe i rënies së shpenzimeve për provizione”, thuhet në raport.

Në raport thuhet se pozita e profitabilitetit u favorizua nga të gjitha kategoritë e realizimit të profitit. Zvogëlimi i shpenzimeve për provizione dhe të hyrat më të larta të realizuara ndikuan që profiti i sektorit bankar të jetë më i lartë kundrejt vitit paraprak për 47.1 përqind./Buletini Ekonomik