Fjalimi i fuqishëm i Arben Gashit në Asamblenë e Këshillit të Evropës

Kryetari i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi ka kërkuar hetim ndërkombëtar në Asamblenë e Këshillit të Evropës për të zbardhur rrethanat e sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveqanit, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku dhe u plagosën dy të tjerë.

Gashi e ka dënuar ashpër sulmin terroristë dhe ka fajësuar Serbinë se ndodhet prapa terroristëve të cilët i ka pajisur me armë, municon dhe mjete të tjera për kryerjen e aktit terroristë.

Ndër të tjera, Gashi në fjalimin e tij ka thënë se Serbia po vazhdon ende t’i mbështesë ata duke i fshehur në Serbi.

“Në kohë errësire dhe dëshpërimi, është detyra jonë që të qëndrojmë së bashku; të përballemi me pasojat shkatërruese të sulmeve terroriste dhe të gjejmë shpresën në ndjekjen e paqes. Më 24 shtator, në fshatin Banjskë të Komunës së Zveçanit, në Republikën e Kosovës, është kryer një sulm terrorist, ndërsa një grup terroristësh të armatosur, të veshur me uniforma dhe maska kanë vrarë një polic dhe kanë plagosur dy të tjerë, dhe jo vetëm. Serbia, si shtet anëtar i këtij institucioni të madh, e ka përkrahur dhe e ka pajisur këtë grup paraushtarak me armë, municion dhe mjete të tjera për kryerjen e këtij akti terrorist. Serbia ende vazhdon t’i mbështesë ata, pasi të gjithë terroristët e përfshirë në këtë sulm janë të fshehur në Serbi. Përballë një ngjarjeje kaq të rëndë, është përgjegjësia jonë që të dënojmë pa mëdyshje terrorizmin dhe mbështetësve të tij në të gjitha format. Ne nuk duhet të lejojmë terroristët të minojnë përparimin që kemi bërë në ndërtimin e një shoqërie paqësore të bazuar në parimet e demokracisë, të të drejtave të njeriut dhe shtetit të së drejtës.

Tutje, Gashi ka kërkuar hetim ndërkombëtarë edhe ndaj kampeve të trajtimit për terroristët në Serbi, ku sipas tij prania e objekteve të tilla është një kërcënim i drejtpërdrejtë i sigurisë rajonale dhe globale.

“Për më tepër, ne bëjmë thirrje për një hetim ndërkombëtar të plotë dhe të paanshëm për ekzistencën e kampeve të trajnimit për terroristët në Serbi. Prania e objekteve të tilla nuk është vetëm një shkelje e normave ndërkombëtare, por edhe një kërcënim i drejtpërdrejtë për sigurinë rajonale dhe globale. Së bashku, me anëtarët e Këshillit të Evropës, ne duhet të solidarizohemi kundër terrorizmit dhe të punojmë pa u lodhur për të siguruar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë në Kosovë”.

Gashi ndër të tjera i ka bërë thirrje Serbisë që të largojë trupat ushtarak në kufirin me Kosovën, pasi që sipas tij prania e trupave ushtarake në kufirin me Kosovën ka potencial të përshkallëzojë tensionet dhe të rrezikojë paqen në rajon.

Tutje ai ka thënë se dialogu dhe diplomacia paqësore janë mjetet më efektive për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe për të garantuar sigurinë e të gjitha palëve të përfshira.

“I bëjmë thirrje Serbisë që të largojë trupat e saj ushtarake nga kufiri me Kosovën. Ky veprim nuk është vetëm thelbësor për stabilitetin rajonal, por edhe në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare dhe parimet e paqes dhe sigurisë. Prania e trupave ushtarake në kufirin e Kosovës ka potencial të përshkallëzojë tensionet dhe të rrezikojë paqen e brishtë në rajon. Ne besojmë fuqimisht se dialogu dhe diplomacia paqësore janë mjetet më efektive për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe për të garantuar sigurinë e të gjitha palëve të përfshira. Vendosmëria jonë kolektive për të luftuar terrorizmin, për të mbështetur vlerat e Këshillit të Evropës dhe për të siguruar një të ardhme më të sigurt për të gjithë mbetet e palëkundur. Le të ecim përpara me vendosmëri dhe unitet, të udhëhequr nga parimet e drejtësisë dhe paqes”./Paparaci