Dushan Obrenoviq dhe Radosh Petroviq u arrestuan dje pas sulmit që ata kryen ndaj trupave të KFOR-it.
Për mediat serbe kanë folur avokati i Petroviq, Dejan Vashiq.
Ky i fundit tha se klienti i tij është në stacionin policor të Mitrovicës së Jugut dhe është marrë në pyetje gjatë tërë natës.
Ai ka thënë në polici se pjesëtarët e KFOR-it e kanë tërhequr zvarrë gjatë kohës që ai ishte ulur në rrugë bashkë me protestuesit tjerë.
“Atë në atë rrëmujë e shkeli çizma e një ushtari dhe kur u hodh gaz lotsjellës dhe bomba shokuese, policia e Kosovës e nxorri jashtë dhe praktikisht e mbrojti nga disa pasoja të rënda”, tha Vasiq.
Petroviqit i është caktuar masa e paraburgimit prej 48 orësh, por ende nuk dihet se për çfarë vepre penale akuzohet.
Vasiq ka thënë se mbrëmë e ka parë edhe Obrenoviqin e arrestuar, por se nuk ka arritur të flasë me të.
Përveç Petroviqit dhe Obrenoviqit, pas përleshjes së djeshme me KFOR-in janë arrestuar edhe dy serbë.