“Fluturojnë” çmimet: 5 kg sheqer deri në 6 euro, një komplet vezë mbi 4 euro

Rritja e çmimeve për produktet bazike nuk ka të ndalur në Kosovë. Çmimi i sheqerit ka arritur në rreth 6 euro për 5 kilogramë.
Sipas përditësimit më të fundit të çmimeve nga Agjencia e Statistikave të Kosovës të produkteve bazike, vërehet se lëvizje e çmimit këto ditë është shënuar edhe tek sheqeri dhe vezët.

Deri pak ditë më parë, 5 kilogramë sheqer janë tregtuar me 5.28 euro, ky produkt esencial sipas ASK-së ka arritur çmimin në 5.90 euro.

Po ashtu edhe vezët janë shtrenjtuar, duke arritur kështu në mbi 4 euro një komplet, apo 30 copë vezë. Nga 3.88 euro sa ka qenë kompleti një javë më parë, një komplet me vezë (30 copë) dje dhe sot është duke u tregtuar me çmim prej 4.01 euro.