Dy shtetasit francez të cilët më 26 korrik u arrestuan na Policia e Kosovës në Leposaviq, pasi po lëviznin me një veturë me targa ruse, kanë dhënë sot deklarimet e tyre në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës. B.H dhe A.F që prej arrestimit janë duke qëndruar në paraburgim, masë e cila u është caktuar për 30 ditë.
Një vizitë të cilën po e konsiderojnë të paplanifikuar në Kosovë, u ka kushtuar me paraburgim dy francezëve.
B.H 64 vjeçar dhe A.F 34 vjeçar, u arrestuan më 26 korrik, pasi u zunë duke vozitur në Leposaviq një veturë me targa ruse.
Të dy së bashku janë paraqitur të martën në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës, për të dhënë deklarimet e tyre.
Para prokurores, ata kanë thënë se nga Mali i Zi ishin nisur me qëllim që ta vizitonin Shqipërinë.
Mirëpo, për shkak se dëshironin të bënin një turne turistik, rrugëtimin e realizuan nga Serbia dhe Kosova.
B.H ka deklaruar se dëshiroi të ndalej në Kosovë, pasi këtu kishte shërbyer për KFOR-in në vitin 2002.
E në afërsi të Leposaviqit, ai ka deklaruar se asokohe e kishte pësuar një lëndim.
Këtë deklarim e konfirmon edhe avokati i tij, Vigan Rugova.
“Ai ka deklaruar që në vitin 2002 ka qenë i kontraktuar prej KFOR-it për disa auditime. Në atë pjesë është lëndu. Vetura e tij në atë kohë ka hasë në një minë dhe është lëndu edhe gjatë rrugëtimit të tij ka dashur ta vizitoj këtë pjesë ku para 20 vjetëve ka pasur lëndime, pastaj ka pasur me shku në Shqipëri dhe me e vazhdu turin e tij turistik”, ka thënë Rugova.
B.H ka thënë se në Kosovë ka qenë edhe disa herë të tjera.
Sipas deklarimeve të të pandehurve, personi tjetër me inicialet A.F në këtë rrugëtim ishte në rolin e shoferit.
A.F ka deklaruar se punon për kompaninë ndërkombëtare të udhëtimeve “TUI”.
“Qëllimi i tij asnjëherë nuk ka qenë që të hyjë në mënyrë ilegale, duke e pasur parasysh se për automjetin që e ka përdorë ka pasur kontratë dhe autorizim të përdorimit dhe se nuk ka qenë në dijeni se po bën kalimin e vijës kufitare. Në momnetin që ai e ka kuptu se e ka kaluar vijën kufitare menjëherë ka marrë veprime me u kthy pas, derisa është ndalë nga Policia”, ka deklaruar avokati Florim Shefqeti.
Shtetasi francez me inicialet A.F mësohet se ka një kohë që është duke jetuar në Mal të Zi.
Televizioni Dukagjini gjithashtu ka mësuar se ndaj të dyve pritet që shumë shpejtë të ngritet aktakuzë.
Mirëpo, dy francezët duket se nuk janë duke u hetuar për spiunazh.
Pritshmëritë e avokatëve janë që aktakuza të ngritet vetëm për kalimin të paautorizuar të kufirit.
Hyrjen në Kosovë, B.H dhe A.F e kishin bërë nëpër rrugë ilegale, pasi sipas tyre këtë udhëzim u ka dhënë pajisja GPS.