Furgoni me dinarë nuk lejohet të hyjë në pikën kufitare në Jarinjë

Autoritetet e Kosovës nuk e kanë lejuar një furgon me dinarë serbë që të kalojë në pikëkalimin kufitar në Jarinjë.

Nga Banka Popullore e Serbisë kanë thënë për Kosovo-online se mjetet kanë qenë të dedikuara për pagat, pensionet dhe pagesat tjera për serbët që jetojnë në Kosovë.

Makina me dinarë ka ardhur nën përcjellje të policisë serbe deri në pikën kufitare rreth orës 11:00, por që është kthyer pas.

Ndryshe, Bordi i Bankës Qendrore të Kosovës ditë më parë ka miratuar rregulloren e re për Operacionet me Paratë e Gatshme, e cila ka hy në fuqi më 1 shkurt.

Sipas kësaj rregulloreje, valuta e vetme që lejohet të përdoret për kryerje të transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave në Kosovë, është Euro.

“Valuta e vetme e lejuar të përdoret për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave në Republikën e Kosovës është euro, si valutë e vetme edhe në kuptim të Nenit 11 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Neneve 16, 17 dhe 18 të Ligjit Nr. 03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës”, thuhet në rregullore.

Ndërkaq, sa i përket valutave tjera, BQK ka vendosur që të përdoren “vetëm si vlera për ruajtje në formë fizike apo në llogarite bankare në valuta jo euro, për kryerjen e pagesave ndërkombëtare në valuta jo euro dhe për aktivitetet e këmbimit valutor”.

Duke e përmendur Euron si valutë të vetme, Kosova me gjasë përjashton edhe dinarin si valutë për kryerjen e pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave që përdoret në mjediset serbe pandërprerë edhe pse nga viti 2002 Kosova ka adoptuar euron si valutë të saj.

Kundër vendimit ka dalë Bashkimi Evropian dhe Departamenti amerikan i Shtetit.