Gazetarja kosovare pengohet dhe sulmohet në Brezovicë

Gazetarja e lajmi.net, Rinë Haziri, është sulmuar dhe penguar sot në Brezovicë nga një person ende i paidentifikuar.

Rasti ka ndodhur gjersa gazetarja Rinë Haziri kishte dalë për të marrë pamje nga bllokada që ishte shkaktuar nga veturat si rrjedhojë e reshjeve të borës.

Në ato momente, siç ka rrëfyer gazetarja, një person nga një veturë me targa të huaja i drejtohet asaj duke i kërkuar të mos incizojë.

Ndonëse gazetarja i ofron fakte se është duke raportuar mbi gjendjen, i njëjti nuk zbrapset duke eskaluar në veprime fizike.

Siç ka rrëfyer gazetarja Haziri, personi në fjalë ka dalë nga vetura duke ia kapur me dhunë dorën dhe telefonin si dhe duke e kërcënuar me fjalë të tjera.

I njëjti nuk është mjaftuar me kaq, duke vazhduar me veprimet e veta të dhunshme derisa kalimtarë të rastit e kanë ndaluar për ta qetësuar situatën.

Rasti në fjalë është lajmëruar në polici.