Gërvalla e propozon për ambasadore në Portugali ish-zëvendësen e ministres Nagavci

Shpërblimi me pozita të larta diplomatike i atyre që i kanë shërbyer Qeverisë Kurti po vazhdon. Në kohën kur diplomacia kosovare po pëson fiasko, kryediplomatja Donika Gërvalla ka zgjedhur rehatimin e përkrahëseve të partisë në pushtet në pozita të ambasadorëve.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, e ka propozuar ish-zëvendësministren për Arsim, Shkencë, Teknologji dhe Inovacion, Edona Maloku-Berdyna për ambasadore në Portugali.

Në shkresën që ia ka dërguar kryetares së Komisionit për Punë të Jashtme, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, të cilën e ka publikuar Nacionale, thuhet se Maloku-Berdyna i plotëson të gjitha kushtet për të ushtruar postin e ambasadores në Lisbonë.

Mbështetur në nenin 93, pika 8, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, nenin 7 pika 7.2, 7.3 dhe 7.7 të Lligjit Nr.03/L-044 për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik të Republikës së Kosovës, ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr.03/L-044 për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik të Republikës së Kosovës, në emër të Qeverisë, ju dërgoj në besim emrin e znj. Edona Maloku-Berdyna, kandidate për ambasadore të Republikës së Kosovës në Portugali ”, thuhet në shkresën e ministres Gërvalla, e cila është nënshkruar më 16 maj.

Dokumentit i është bashkëngjitur edhe CV-ja e Edona Maloku-Berdyna

“Znj. Maloku-Berdynaj i plotëson të gjitha kushtet e parapara sipas nenit 6 të Ligjit nr. 03/L-044 për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik të Republikës së Kosovës”, thuhet më tutje në kërkesë.

Shkresa e MPJD-së do të shqyrtohet sot nga Komisioni për Punë të Jashtme i Kuvendit të Kosovës. Mbledhja e komisionit do të mbahet në ora 13:00, ku do të shqyrtohet propozimi Gërvallës që Maloku-Berdyna të bëhet ambasadore e Kosovës në Portugali.